Arrestohen 8 të dyshuar për keqpërdorim seksual të të miturve

Arrestohen 8 të dyshuar për keqpërdorim seksual të të miturve

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se gjatë kësaj jave ka arrestuar disa persona për veprat e dyshuara keqpërdorim seksual i të miturve dhe ofrim i lokalit për prostitucion.

Rasti i parë ka ndodhur të martën në rajonin e Ferizajt ku një person me iniciale J.M është arrestuar për shkak se dyshohet të ketë ofruar lokalin e tij për prostitucion.

“Me datë 26.09.2017, në rajonin e Ferizajt është arrestuar i dyshuari mashkull/kosovar shqiptar me inicialet (J.M.), nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale ‘ofrim i lokalit për prostitucion’ dhe pas konsultimit me prokurorin kompetent i njejti është ndaluar për 48 orë, për procedura të mëtejme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Rasti tjetër ka ndodhur në rajonin e Mitrovicës ku janë arrestuar katër personat për shkak se dyshohen të kenë keqpërdorur seksualisht persona nën moshën 16 vjeç.

“Me datë 27.09.2017, në rajonin e Mitrovicës janë arrestuar katër (4) persona të dyshuar për veprën penale ‘keqperdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeç’ dhe është identifikuar një viktim femër/kosovare. Inicialet e personave të dyshuar janë: 1. S.K; 2. L.SH; 3. F.U; 4.F.SH; të gjithë meshkuj/kosovar. Me vendim të prokurorit të njëjtit janë ndaluar për 48 orë për vazhdim të procedurave ligjore.”

Më tutje policia ka njoftuar se gjatë këtij operacioni është arrestuar edhe një person tjetër i cili dyshohet se ka detyruar persona për të kërkuar lëmoshë

“Sektori Qendror i Hetimeve i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ), pas pranimit të informacioneve relevante, ka zhvilluar hetime intensive lidhur me dyshimin e bazuar për veprën penale “trafikim me njerëz”, me qellim të shfrytëzimit për punë te detyruar dhe kërkim lëmoshe, sot me datë 28.09.2017 ka zbatuar një plan taktik ku është arrestuar një (1)  person i dyshuar me inicialet (A.K) per veprën e lartpermendur dhe janë identifikuar tri (3) viktima të trafikimit të cilat janë trajtuar në bazë të procedurave standarde për viktimat e trafikimit”.

“Si provë materiale është konfiskuar përkohësisht një telefon dhe prova tjera të siguruara gjatë hetimit që i dërgohen prokurorit për procedim të mëtutjeshëm, përderisa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, për zhvillim te procedurave ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Poashtu, sot me datë 28.09.2017, rreth orës 09:00, pas një hetimi të realizuar  nga njësiti i hetimeve për trafikim me qenie njerëzore-Mitrovicë-Veri, ka rezultuar me arrestimin e dy (2) personave të dyshuar me inicialet (N.S. femër serbe/kosovare dhe I.H. mashkull shqiptar/kosovar) për shkak dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën kundërvajtje  “marrje  me prostitucion”, sipas ligjit mbi rendin dhe qetësin publike”.