Policia apelon të shfrytëzohen edhe pika të tjera përveç Merdares

Policia apelon të shfrytëzohen edhe pika të tjera përveç Merdares

Policia e Kosovës ka apeluar tek qyteratët e Kosovës dhe në veçanti tek qytetarët nga diaspora që të mos hynë në territorin e Serbisë vetëm përmes pikës kufitare në Merdare.

Përmes një komunikate për media, PK ka thënë se në këtë pikë-kalim janë ende duke u kryer punime në ndërtimin e infrastrukturës dhe si rrjedhojë mund të shkaktohet pritje më të gjata.

“Meqë ky projekt i BE-së sipas planifikimeve ndërtuese pritet të zgjasë, me qëllim të shmangies së pritjeve dhe krijimit të kolonave të gjata, Policia e Kosovës informon dhe apelon tek të gjithë qytetarët dhe bashkatdhetarët se të njëjtit mund të shfrytëzojnë alternativa tjera, respektivisht të përdorin pikë kalimet tjera kufitare që e lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, si Dheu i Bardhë, Mutivodë, Jarinje etj, sepse edhe në ato pika aplikohen procedurat e njëjta të kalimit kufitar dhe nuk ka pritje as kolona të gjata”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Departamenti i Policisë Kufitare, gjatë sezonit veror do të punoj me kapacitete të shtuara të personelit policor dhe aplikimit të punës së kontrollit kufitar të përshpejtuar, me qëllim të evitimit të kolonave dhe pritjeve të gjata.”