Policët e Londrës me kamera në uniformë

Policët e Londrës me kamera në uniformë

Policët e armatosur në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër, do të bartin kamerat dixhitale në uniformat e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Forca më e madhe e policisë britanike, Policia e Londrës njoftoi se në operacionet e policëve të armatosur me qëllim të “transparencës më të madhe” në uniformat e tyre do të bartin kamera.

Në një deklaratë nga “Scotland Yard” thuhet se në etapën e parë janë porositur një mijë kamera për policët e armatosur.

Vdekja e personit me ngjyrë Mark Duggan si pasojë e të shtënave me armë nga policia në Londër në vitin 2011 shkaktoi trazira të gjera. Pas kësaj, u mor vendimi që policët të bartin kamera në gjoks por në testimet e bëra është parë se këto kamera nuk sjellin pamje të nivelit të duhur për shkak të lëvizjes së krahëve.

Së fundmi në vitin 2015 një polic i armatosur në jug të Londrës plagosi një person të quajtur Nathaniel Brophy, por pamjet nga kamera e gjoksit nuk ishin të mjaftueshme për të zbardhur këtë rast. Pas ngjarjes komisioni i pavarur i Ankesave Policore bëri thirrje për të gjetur një zgjidhje emergjente për problemin e kamerave.

Në anën tjetër 17 mijë e 500 policë të paarmatosur aktualisht bartin kamera në gjoks. Planifikohet që ky numër në fund të muajit tetor të arrijë në 22 mijë.

Në operacionet e kryera në Londër gjatë 15 qershorit dhe 22 korrikut dy persona me ngjyrë humbën jetën kurse lidhur me këto raste u ngritën tensione mes protestuesve dhe policisë.

Në Londër patrullat e policisë nuk mbajnë armë ndërsa forcat policore që zhvillojnë operacione kanë të drejtë të mbajnë armë.