Polica tregon nëse do t’i arrestojë deputetët e VV-së

Polica tregon nëse do t’i arrestojë deputetët e VV-së

Nga Policia e Kosovës kanë treguar rreth arrestimeve të mundshëm për tre deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu, gjatë seancës së sotme të Kuvendit që pritet të mbahet nga ora 10:00.

Lidhur me këtë rast Blic ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë, Daut Hoxhën që tha se në rast se vetëm është lëshuar urdhëresë, atëherë policia ka për kompetencë realizimin e asaj urdhërese.

”Është çështje me të cilën është marrë drejtoria rajonale e Prishtinës më shumë dhe çështjen e këtyre urdhëresave është kompetencë e tyre me realizuar. Natyrisht kur të marrin kompetencë prej Gjykatës duhet me zbatuar, ose të paktën me i kërkua ata.”, tha Hoxha.

Në anën tjetër, zëdhënësja e policisë rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti tha se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë urdhëresë zyrtare për këtë rast.

”Ne nuk kemi pranuar asgjë zyrtarisht, deri në këto momente. Gjykata ose prokuroria munden me ju informuar ku është mbetur çështja. Zyrtarisht nuk kemi ndonjë urdhëresë lidhur me këtë rast.”, shtoi ajo.

Pasi që dje tre deputetët e Vetëvendosjes nuk u paraqitën në seancën gjyqësore për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend të Kosovës, trupi gjykues ka urdhëruar arrestimin e tre të akuzuarve.