B92, Jeremiq që" />

“Po rritet numri i turistëve serbë në Kosovë” – Hoxhaj ironizon me Jeremiqin

“Po rritet numri i turistëve serbë në Kosovë” – Hoxhaj ironizon me Jeremiqin

Kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj e ka cilësuar “turistike” vizitën që i ka bërë sot Kosovës, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq.

Siç shkruante sot B92, Jeremiq qëndroi në Pejë gjatë ditës së premte, me ç’rast u takua me krerët e Patriakanës së Pejës, nga ku është duke bërë fushatë për zgjedhjet në Serbi.

Por, sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, vizita e Jeremiqit në Pejë ka qenë vetëm turistike.

“Shpresoj që Vuk Jeremiç e shijoi vizitën e tij turistike, motin dhe pamjet e trashëgimive kulturore të Kosovës. Numri i turistëve nga Serbia është duke u rritur”, ka shkruar ministri Hoxhaj në Twitter.

Siç ka raportuar sot Insajderi, Jeremiq është futur pa leje sot në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka sqaruar se ish-ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq, i cili gjatë ditës ka qëndruar në Pejë, nuk bën pjesë në listën e zyrtarëve të cilët duhet të kërkojnë leje për të hyrë në Kosovë. /Insajderi.com