“Po i mbron bizneset tua”, “Çfarë gazetari profesionist je ti”, “Po rrenë” – Xharra vs. Kelmendi

Java për Zhvillim të Qëndrueshëm me temë “Pastrimi i Kosovës: Sfidat në sektorin e mbeturinave”, solli disa të papritura të cilat më pas u bënë temë debati. Përplasja ndodhi mes moderatorit të konferencës Adriatik Kelmendi dhe Jeta Xharrës e cila ishte duke e bërë një intervistë me kryeministrin Ramush Haradinaj pikërisht për ambientin në kuadër të kësaj konference.

“Po i mbron bizneset tua”, “Çfarë gazetari profesionist je ti”, “Po rrenë” – Xharra vs. Kelmendi

Koha për paraqitje ishte e kufizuar për të gjithë ata që ishte paraparë ta merrnin fjalën. Njëjtë ishte koha edhe për Jeta Xharrën.

Mospajtimet ndodhën pikërisht për kufizim kohe. Sipas gazetarit Kelmendi, i cili aty ishte në rolin e moderatorit, kishte tentuar t’ia ndërpriste intervistën Xharrës për shkak se kjo e fundit e kishte tejkaluar kohën e paraparë.

Pasi kishte marrë disa vërejtje nga Kelmendi, Xharra e kishte ndërprerë intervistën me kryeministrin. Por më vonë e akuzoi Kelmendin se këtë e kishte bërë për interesat e tij personale. Xharra kishte thënë se Kelmendi nuk mund t’i duronte pyetjet që ajo ia bënte kryeministrit lidhur me KEDS-in dhe HIB-in, pasi sipas saj, Kelmendi me kompaninë e tij i mbron ato.

“Ndoshta kishte me qenë mirë me i tregu ti shokëve të tu gjithashtu të dhënat që në atë intervistë për ambient që isha tu e zhvillu, unë e pytsha kryeministrin se sa naftali i ka dënu qeveria e tij për kualitet të dobët të naftës/benzinit që e shesin në Kosovë (e cila kontribuon në ndotje të ambientit), e ty të ka dhimt se ti me firmën tande ke punu për HIB-in!”, ka shkruar Xharra.

“Ndoshta kishte qenë mirë shokët e tu me dit që u mundojshe me ma ndal transmetimin kur unë e pytsha kryeministrin për damin ambiental që i kanë shkaktu grykës së Deçanit hidrocentralet, e ti me firmën tande punon për KEDS që ka vjedh hidrocentrale prej Kosovës (i ka marr pa pagu), prap të dhimke”, ka shkruar Xharra në një koment në Facebook si përgjigjen ndaj një postimi të Kelmendit.

Xharra e ka akuzuar Kelmendin se pyetjet e saj ndaj kryeministrit rreth ambientit ia kanë prekur biznesin e tij me qymyr.

“Ndoshta kishte qenë mirë me dit shokët e tu që ti normal që ke me qenë i anshëm në një konferencë për ambient, sepse ke punu për kompani qymyri tash rishtazi, e qymyri që llogaritet ndotësi ma i madh i ajrit në Prishtinë që ja nxin mushknit fmive të mi e të tu, por ti s’e ki problem me shit shërbime për ta!”, ka shkruar tutje ajo.

“Tash ti spjegoja miqve tu se me çfarë FTYRE e ETIKE PROFESIONALE mundet një gazetar me punu edhe për kompani duke ia bo propagandën atyne çka me thanë në publik, edhe me pretendu që e ushtron gazetarinë profesionale e të paanshme. Spjegojau se me siguri që ka shumë miq të tu që janë kurioz me dit qysh flet ti rahat me qët dyftyrësi të punës tande, me një lugë me hangër prej industrisë së ndotësve, e me lugën tjetër me pretendu që je i paanshëm në moderim të tryezave për ambient?!”, ka përfunduar ajo.

Kelmendi: Xharra po rrenë, ndërkombëtarët disa herë më thanë se Xharra e ka tejkaluar kohën

Moderatori Adriatik Kelmendi i cili e kishte këtë rol në këtë konferencë, e jep një version krejt tjetër të kësaj ngjarjeje.

“Kjo është thjeshtë një rrenë. E vërteta është kjo: Unë kam qenë moderator i gjithë ditës së parë të konferencës. Konferencën e kam hapur unë, në orën 9:00 (sipas agjendës) me panel Ramush Haradinaj, Natalia Apostolova, Albena Rashitaj dhe Diella Raçi”, ka shkruar Kelmendi në Facebook si sqarim për ngjarjen.

“Nga ora 10:00 deri në 10:30, në agjendë ka qenë e paraparë një intervistë e Jetës (në cilësinë e përfaqësueses së KOSID-it) me Haradinajn, kurse nga 10:30 deri në 11:00, në agjendë ka qenë i paraparë fjalimi i ish-nënkryetares së Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek”, ka shtuar ai.

Sipas tij, Xharra e kishte lutur që ta përfundonte sa më shpejtë panelin e hapjes në mënyrë që ajo të ketë më shumë kohë për intervistën e saj me kryeministrin. Këtë Kelmendi thotë ta ketë bërë, duke i krijuar 10 minuta më shumë kohë për Xharrën.

“Paraprakisht, Jeta më kishte lutur që të mundohem ta përfundoj panelin hapës më herët, në mënyrë që të ketë kohë më tepër për intervistën se sa lejonte agjenda. Me vullnetin e sinqertë që ta ndihmoj i premtova se do të bëj përpjekje dhe ia dola – e ftova që ta bëjë intervistën me Haradinajn në 9:50, pra 10 minuta para terminit me agjendë. Mirëpo, ajo vazhdoi edhe për shumë minuta pas orës 10:30, kur do të duhej ta përfundonte”, ka sqaruar Kelmendi.

Kelmendi ka thënë se Xharra e kishte tejkaluar kohën e paraparë, edhe pse i ishin dhënë 10 minuta më shumë. Kjo sipas Kelmendit kishte shkaktuar pakënaqësi te ndërkombëtarët që ishin aty dhe të cilët prisnin në radhë për ta marrë fjalën.

“Disa herë organizatorët kërkuan prej meje që t’i përmbahem agjendës dhe t’i kërkoj që ta respektonte orarin. Vetë Natalia Apostolova më kërkoi 2-3 herë me ngulm që t’i them që t’i përmbahet agjendës. Përfaqësuesja e GIZ, Atdhetare Kelmendi, gjithashtu më tha se duhet t’i kërkoj ta përfundojë. Kur mu drejtua edhe vetë Ulrike Lunacek, pranë së cilës isha i ulur, që t’i përmbahem agjendës, meqë Jeta po ia konsumonte tashmë edhe kohën e paraparë për fjalimin e saj, unë e luta me mirësjellje që ta rrumbullakësonte bisedën. Kur ajo nuk jepte shenja se do ta respektonte agjendën, organizatorët dhe znj. Lunacek, unë edhe dy herë të tjera u detyrova që t’i them se duhet të vazhdojmë”, ka vazhduar sqarimin ai.

“Kaq është e vërteta. Plus që edhe vetë Jeta e di këtë, se ia thanë organizatorët menjëherë. Nëse Jeta ka menduar së është më e rëndësishme ajo vetë se znj. Lunacek, se ka të drejtë të abuzojë me agjendën, duke ia marrë kohën edhe znj. Lunacek dhe duke ofenduar gjithë të pranishmit e tjerë – është diçka që i mbetet vetëm ndërgjegjes së saj”, ka shkruar tutje Kelmendi.

Ai ka thënë se nëse kjo që po e thotë nuk del e vërtetë, atëherë publikisht dhe i turpëruar do t’i kërkojë falje Xharrës. Por di dorëzani ka kërkuar t’i ketë ndërkombëtarët.

“Ja ku po i bëj thirrje publike znj. Apostolova, znj. Lunacek dhe znj. Kelmendi, të tregojnë se a kanë kërkuar ato që të ndërpritet intervista, pasi që e kishte kaluar orarin në agjendë. Le të flasin ato. Ose gazetarët le t’i pyesin. Nëse ato do ta mohojnë këtë gjë, unë i turpëruar do t’i kërkoj falje Jetës”, ka vazhduar ai.

“Mirëpo, nëse del e kundërta, atëherë Jeta fare mua të mos më kërkojë falje, por vetëm audiencës për manipulimin që ka dashur ta bëjë. Plus, që në audiencë ka pasur edhe plot persona të tjerë, përfshirë ambasadorë dhe përfaqësues institucionesh vendore e ndërkombëtare, të cilët mund ta konfirmojnë situatën”, ka deklaruar Kelmendi.

Sa i përket kohës së rezervuar të Xharrës, Kelmendi ka thënë se brenda atyre minutave edhe po ta shante atë, nuk do t’ia ndërpriste intervistën.

“Jo vetëm për ndonjë “interes” timin, por Jeta ka mundur fare lirisht edhe të më shajë personalisht, të ma shajë familjen, shoqërinë ose këdo timin dhe kjo nuk do të më shtynte t’ia ndërpresja fjalën, nëse do të ishte brenda minutave të parapara me agjendë. Thjesht, unë kam kryer punën time me profesionalizëm!”, vijoi ai.

“Tendenca për ta paraqitur rrejshëm ndonjë temë të intervistës si motiv për kërkesën që ta përfundojë intervistën është thjeshtë një tentim-goditje e turpshme nën brez. Por, s’kemi çka e lodhim ose t’ia mbushim mendjen opinionit për veten tonë – që të dy jemi gjatë në jetën publike dhe njerëzit tashmë e dinë saktë se kush jemi e sa profesionistë jemi secili”, ka shkruar Kelmendi në Facebook.

“Unë s’e kam ndërmend të merrem me të. Le të flasin znj. Apostolova, znj. Lunacek dhe znj. Kelmendi kush po e thotë të vërtetën! Dhe kush po dëshiron të përfitojë vëmendje e vetëreklamë patetike duke u shtirur rrejshëm si viktimë! Në një rast tjetër, thashë, do të ishte vetëm qesharake…”, ka përfunduar ai.

Zyrtarja e BE-së del me deklaratë për “duelin” Xharra – Kelmendi

Zyrtarja e Bashkimit Evropian në Kosovë është përfshirë në debatin mes gazetares Jeta Xharra dhe Adriatik Kelmendi.

Ajo ka thënë se Kelmendi ishte personi i përzgjedhur për t’i ndërprerë intervistat që zgjasnin më shumë sesa që duhej.

“Në emër të BE-së në Kosovë, si moderator i konferencës, Adriatik Kelmendit iu kërkua nga BE që t’i përmbahej axhendës dhe ta ndërpriste intervistën, sepse ajo po zgjaste më shumë se sa ishte planikfikuar”, ka shkruar Dinka Zhivalj për duelin Xharra-Kelmendi.

Shkak i përplasjeve mes Xharrës dhe Kelmendit është bërë konferenca për ambientin që u mbajt në Prishtinë. Aty Xharra teksa po e intervistonte kryeministrit Ramush Haradinaj, ka ndërhyrë Kelmendi duke ia bërë me dije se ka kaluar koha e përcaktuar./Insajderi.com