Po, disa drejtues të UÇK-së kanë kryer krime lufte!

Seanca e sotme parlamentare është thjeshtë një teatër burrash të dyshuar për krime. Ata nuk mërziten për dënimet që u dhanë për Sylejman Selimin dhe Sami Lushtakun. Ata sot duan që parlamenti të jetë mburojë e tyre kundër Speciales.

Po, disa drejtues të UÇK-së kanë kryer krime lufte!

Asnjëherë deri sot nuk ndodhi që deputetët të bashkëndjejnë me viktimat. Këtë ndjesi nuk e ka shumica e shoqërisë.

Ne, thjeshtë simpatizojmë kriminelët si në rastin e Stokholmit kur pengjet në një bankë u lidhen aq fortë me pengmarrësit, sa filluan të besojnë se ata ishin aty për t’i shpëtuar, e jo për t’i vrarë.

Ky rast njihet si “Sindroma e Stokholmit”.

Kjo sindromë i përshtatët knap shoqërisë sonë e cila me simpati shikon deputetët pengmarrës duke mbrojtur njerëz të dënuar për krime, dhe duke urryer viktimat e tyre.

Ne, i urrejmë viktimat, e i dashurojmë shkaktarët e këtyre viktimave.

Mbrojtja që po i bëjnë shumica e deputetëve të akuzuarve e dënuarve me aktgjykime të formës së prerë, nuk është gjë tjetër pos arsyetim para publikut se “edhe ne jemi të pafajshëm”. Këtë po e bëjnë duke i ditur veprimet e tyre në të kaluarën dhe të tashmen. Shumë prej këtyre mbrojtësve të vlerave të UÇK-së do ta kenë fatin e disa të tjerëve. Pra, do të përfundojnë në burg për krimet që kanë kryer. Ata, që sot po mbrojnë vlerat e UÇK-së, në fakt janë përdhunuesit dhe përfituesit më të mëdhenj të UÇK-së dhe në emër të UÇK-së.

Nuk ka asnjë dyshim se eprorë të mesëm dhe të lartë të UÇK-së kanë kryer krime lufte. Bile, kanë kryer krime më bizare.

Këtë do ta mund ta dëshmonte fare mirë Blerim Kuçi i cili për dy muaj rresht ishte pshurrur nga ushtarë të UÇK-së në një burg në fshatin Kleçkë.

Këtë e ka dëshmuar fare mirë aktgjykimi i formës së prerë për krimet e luftës në dy burgje të UÇK-së në Kukës dhe Cahan. Këtë e kanë dëshmuar viktimat e këtyre krimeve, mes të cilëve Imer Imeri, i mbajtur dhe torturuar për shumë javë nga UÇK-ja.

Këtë e ka dëshmuar edhe në rastin kur ia vranë vëllanë e tij, Hakiun vetëm pse ishte intelektual dhe aktivistë i LDK-së.

Krimet në këto dy burgje i ka dëshmuar edhe ai i riu nga Prizreni i cili ishte më fatlum së vëllai i tij, i cili u vra nga pjesëtarë të UÇK-së.

Ai kishte përjetuar renditjen para një skuadre pushkatimi të pjesëtarëve të UÇK-së. Mes formave të torturimit në Cahan, ky i ri së bashku me vëllanë e tij, Antonin dhe shqiptarë tjerë, ishin veshur me jelek antiplumb dhe ishte shtënë mbi ta.

Një plumb rikoshe kishte kapur Antonin në gju. Pa ndihmë mjekësore dhe i mbajtur në kushte çnjerëzore, kishte vdekur disa ditë më vonë.

Krimet e pjesëtarëve të UÇK-së janë dëshmuar edhe nga familjarët e Salih Gashit, nga Varigovci i Shtimës. Atë e kishin vrarë Nazim Bllaca e Fahredin Gashi në mes të dhomës së shtëpisë, në sy të familjarëve tjerë.

Salihun, një fshatar mbi 60 vjeç që krejt jetën kishte mbijetuar duke shitur dru pylli e kishte vrarë në fakt një bashkëpunëtor i Policisë serbe i cili kishte braktisur mikun e tij, komandantin e Policisë së serbe në Shtime, Dragan Gjorgjeviqin, për t’ju bashkuar UÇK-së dhe për të vrarë shqiptarë të pafajshëm në emër të UÇK-së.

Fahredini, njëri prej njerëzve më të afërm të komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla ishte i vetëdijshëm për veprimet e tij si bashkëpunëtor i Policisë serbe.

Kur lufta po përhapej gjithandej, biznesmeni që mbante revole me leje para luftës kishte kaluar në krahun tjetër duke iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me një kamionë vegetë si ndihmë për forcat guerile që po luftonin kundër pushtetit të Milosheviqit, kishte shpëtuar kokën e tij.

Këtë histori të bashkëpunimit me Policinë serbe dhe bashkimin me UÇK-në e ka dhënë vetë Fahredin Gashi, gjatë një dëshmie që ka dhënë vite më parë për hetuesit e Hagës. Ai kishte folur për kidnapime, vrasje dhe dërgim të pengjeve në kampe të Shqipërisë.

Gashi ka qenë i arrestuar dhe i mbajtur një kohë në kampin e Llapushnikut, për çka ishte dënuar më 12 vjet burgim, Haradin Bala në Gjykatën e Hagës.

Në një video dëshmi që i ka dhënë hetuesve të Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavi në vitin 2004 në kampin finlandez në Lypjan në cilësinë e të dyshuarit, Gashi kishte thënë se mund të ketë pasur kidnapime të shumta të civilëve të cilat nuk mund të jenë bërë pa dijeninë e komandantëve të zonave.

Për fatin e këtyre të zhdukurve, Gashi kishte thënë se, dinë më së miri komandantët e zonave përkatëse Fatmir Limaj, Rrustem Mustafa, Shkuri Buja, Sylejman Selimi…

“Pa dijen e tyre nuk ka guxuar të shkrepet asnjë fishek”, kishte thënë veterani i UÇK-së, i dënuar më 15 vjet burgim për vrasjen e fshatarit nga Varigovci i Lipjanit më 15 qershor 1999.

Gashi nuk kishte hezituar të tregonte në detaje për lidhjet e tij me Policinë e Serbisë.

“Në vitin 1996 kam filluar një shoqëri me zv/komandantin e policisë serbe në Shtime. Më pas me vetë komandantin, Dragan Gjorgjeviq”, kishte thënë ai. Kishte treguar se me UÇK-në ishte lidhur në vitin 1998, në Krojmir, si furnizues i tyre me ‘vigetë’, me qëllim që të “ndërtojë” raporte të mira edhe me ta dhe të jetë më i qetë në punën e tij.

Kështu, Gashi kishte arritur të ndërtonte lidhje të forta me eprorin më të lartë të UÇK-së, Azem Sylën.

Për krimet e pjesëtarëve të UÇK-së kanë dëshmuar edhe shumë viktima tjera. Ka dëshmuar edhe Enver Hoxha, të cilit UÇK-ja ia vranë babnën dhe lëshoi komunikatën numër katër për këtë krim.

Debati në Kuvend pra nuk po bëhet për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, por për mbrojtjen e krimeve të kryera nga disa njerëz të UÇK-së. Në fakt, disa deputetë po përpiqen që nëpërmjet Kuvendit ta mbrojnë vetën nga burgosja e mundshme nga Gjykata Speciale.

Nuk ka asnjë dilemë që disa prej njerëzve që kishin rrokë armët për çlirimin e Kosovës, kanë kryer krime të luftës duke abuzuar kështu me emblemën e UÇK-së.

Të rënda bile.