Plotësohet numri në shumicën e shkollave të mesme në Prishtinë

Plotësohet numri në shumicën e shkollave të mesme në Prishtinë

Janë plotësuar shumica e vendeve të lira në shkollat e mesme të larta në Prishtinë qysh në afatin e parë të regjistrimit.

Në Gjimnazin “Sami Frashri” , “Xhevdet Doda” si dhe në Shkollën e Mjekësisë “Ali Sokoli” nuk ka mbetur asnjë vend i lirë.

Derisa hapësira ka në Gjimnazin e Gjuhëve “Eqrem Qabej” si dhe në disa shkolla të tjera profesionale.

Mbi 2 mijë nxënës në Prishtinë janë pranuar në shkollimin e mesëm të lartë në afatin e parë të regjistrimit, nga rreth 3 mijë e 500 vende të lira sa i ka kryeqyteti në këtë nivel të shkollimit.

Shkollat më të kërkuara nga të rinjtë në afatin e parë kanë qenë gjimnazet dhe shkolla e mjekësisë, ku janë plotësuar gati të gjitha vendet e lira.

Ndërkohë, për afatin e dytë, i cili organizohet në gusht, hapësira kanë mbetur kryesisht në shkolla të mesme profesionale.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën zyrtari për arsim në Komunën e Prishtinës, Hajzer Idrizi, shkruan RTK Live.

“Ky afat ka përfunduar dhe një pjesë e këtyre shkollave të mesme e kanë plotësuar numrin e nxënësve të pranuar, kanë mbetur vende të lira edhe në disa gjimnaze, në Gjimnazin “Eqrem Qabej” dhe Gjimnazin “Ahmet Gashi”, kanë mbetur edhe disa vende tjera gjithashtu në shkollat profesionale ka ende vende të lira, të cilat presim të plotësohen në afatin e dytë që do të organizohet në gusht, prej 21 deri 23 gusht 2017”, ka thënë Idrizi.

Idrizi tha se Komuna e Prishtinës ka kapacitet të mjaftueshëm që të gjithë nxënësit të cilët e përfundojnë shkollimin e mesëm të ulët të kalojnë në shkollimin e mesëm të lartë, vetëm se duhet të shpërndahen në të gjitha shkollat e mos të konkurrojnë vetëm në disa gjimnaze dhe në mjekësi.

Ai shtoi se vende të lira ka në Shkollën Teknike “28 Nëntori”, “7 Shtatori”, atë të bujqësisë “Abdyl Frashri”, Shkollën Elektronike “Gjin Gazulli” si dhe disa shkolla të tjera.

Komuna e Prishtinës sivjet regjistron mbi 3 mijë e 500 nxënës në 113 paralele në klasën e dhjetë.

Afati i dytë i regjistrimit organizohet nga 21 deri më 23 gusht 2017.