Plogështimi i Thaçit para Serbisë

Plogështimi i Thaçit para Serbisë

Presidenti Hashim Thaçi vazhdon t’i japë hov idesë së tij duke shprehur gatishmëri t’i vërë në diskutim edhe kufijtë aktualë të Kosovës, në këmbim të njohjes nga Serbia.

Ai e ka pranuar se rrugëtimi i shtetit të Kosovës është i pamundur pa marrë njohjen nga fqinji verior, shkruan sot Koha Ditore.

Ky është përcaktim ndryshe prej ish-drejtorit politik të UÇK-së, i cili prej vitit 2011 drejton dialogun me Serbinë. Në shumë raste marrëveshjet e arritura me zyrtarët i kishte quajtur “de fakto” pranim i shtetit të Kosovës nga Serbia.

Analisti Imer Mushkolaj ka thënë se Thaçi nuk po ndalet në aventurën e tij duke u shfaqur i gatshëm t’i vërë në pazar sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Nëpërmjet një shkrimi autorial, Thaçi ka thënë se marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse palët bëjnë kompromis.

Kundër idesë së presidentit janë deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj e kryeparlamentari Kadri Veseli, të cilët kanë thënë se Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj askujt, “as nuk do të pranojë të vihet në diskutim integriteti territorial”. Madje, Haradinaj ka kërkuar ndërhyrjen e Brukselit që të ndalen nismat për ndryshim kufijsh.