Platforma shqiptare, BDI: U arrit në Shkup

07.03.2017 20:41
Platforma shqiptare, BDI: U arrit në Shkup

Platforma shqiptare nuk është ashtu siç e përshkruan presidenti Gjorgje Ivanov. Ky ka qenë reagimi i BDI-së pas letrës që Ivanov u dërgoi ndërkombëtarëve e ku e cilësoi platformën si “tepër të rrezikshme për sovranitetin dhe unitetin e vendit”.

Por zv.kryetarja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Teuta Arifi sqaroi se ndryshe nga ç’pretendon Ivanov, platforma është hartuar në Shkup, ndërsa në Tiranë është kryer vetëm akti formal i firmosjes.

Ajo, sipas Arifit, merr në konsideratë gjuhën e folur nga nje pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të këtij vendi, flet për zhvillimin e barabartë të të gjithë qytetarëve dhe përpjekja për ta shndërruar në një element urrejtje është një papërgjegjshmëri serioze politike.

Çfarë përfshin platforma që po tremb kaq shumë Ivanovin?Me ndërmjetësimin e Tiranës, në 7 Janar të këtij viti, forcat politike shqiptare nënshkruan një marrëveshje, ku kërkojnë arritjen e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën, zbatimin e multietnicitetit në Kushtetutë, ku shqiptarët të njihen si popullsi shtetformuese.

Një nga pikat kryesore dhe më të debatuara të platformës është ajo e barazisë së plotë gjuhësore, çka do të bënte të mundur përdorimin e Gjuhës Shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Shqiptarët kërkojnë gjithashtu një debat gjithpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet të reflektojnë natyrën multientike të vendit. Objektiv tjetër është arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal.