Plani B i Barcelonës është Carlos Bacca

Plani B i Barcelonës është Carlos Bacca

Operacioni i fundit në merkaton e verës për Barcelonën do të jetë ai i transferimit të një sulmuesi, por precedentët e viteve të kaluara tregojnë se klubi katalanas nuk ka përdorur një bisturi mjekësore për këtë repart, por thjesht ka futur duart thellë në xhep.

Sivjet nuk është rasti, pasi kampionët e Spanjës nuk duan të shpenzojnë. Po flasim për njeriun i cili do të jetë pas shpatullave të Luis Suarezit, pra jo titullar.

Kështu, teksa katalanasit po negociojnë me Atletico Madridin për sulmuesin Luciano Vietto, të cilin duan ta sigurojnë për rreth 22 milionë euro, “El Mundo Deportivo” zbulon se për teknikun Luis Enrique drejtuesit kanë ndërmend edhe një plan B: Carlo Bacca!

Kolumbiani ka refuzuar dy herë ofertën e West Hamit, sepse dëshiron të shkojë te një skuadër e cila luan në Champions League. Barcelonës i duhet të rivalizojë me Napolin, që deri tani thuhet se ka ofruar 20 milionë euro plus një lojtar për sulmuesin, pas shitjes rekord të Gonzalo Higuainit te Juventusi (90 milionë euro, ende jo zyrtare).

Gjithsesi, klubi kuqezi e ka refuzuar këtë ofertë. Napoletanët mund të ofrojnë më shumë, por synimi i tyre kryesor mbetet Mauro Icardi (sot doli edhe emri i Alvaro Moratës). Barcelona, nga ana tjetër, nuk ka nisur negociatat, ngaqë po punon për Vietton.

Bacca mbetet një emër serioz në tregun evropian, pasi ka bindur me performancat e tij prej vitesh, ndonëse është 30 vjeç.

Milani e bleu kolumbianin në qershor të vitit 2015 nga Sevilla për 30 milionë euro, aq sa kishte klauzolën. Rezultati: 18 gola në 38 ndeshje, nga të cilat dy me penallti. Jo keq, apo jo? Ja pse Barcelonës i duhet një “pykë” i pastër si ai. /Telesport.al