Piktura ‘Zonja e Shkodrës’ kthehet e restauruar në shtëpinë e saj

Piktura ‘Zonja e Shkodrës’ kthehet e restauruar në shtëpinë e saj

Duke marrë parasysh rëndësinë simbolike dhe vlerat e paçmueshme që “Zoja e Shkodrës” mbart, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës vendosën të dërgojnë këtë vepër në Firence, pranë institutit të ekselencës për restaurimin, “Palazzo Spinelli”, me të cilin Ministria e Kulturës ka bashkëfirmosur marrëveshjen e bashkëpunimit prej majit 2015.

Piktura mbërriti në laboratorët e Palazzo Spinelli në tetor 2016. Restaurimi i saj zgjati 7 muaj dhe në këtë proces u përfshinë një grup restauratorësh të profileve të ndryshme, si dhe u realizuan analizat e plota të elementeve të telajos dhe përbërësve të ngjyrave.

“Jemi mahnitur nga kujdesi e cilësia e punimit, a thua se vetë Zoja ishte bashkëpunuese në këtë aksion të rrallë, e shtyrë prej padurimit për t’u kthyer në shtëpi të vet. Kur gjithçka mbaroi, emocionin e kisha të madh, shumë të madh, sepse ajo që në fillim më ishte dukur një marri nga ana ime, dhe e pamundur për t’u realizuar nga ne në Institut, u përkrye nga mjeshtria e Palazzo Spinelli-t që sot rikthehet edhe si një përvojë profesionale e veçantë” tha mes tjerash në fjalën e saj e para e kulturës në Shqipëri – Mirela Kumbaro.

“Sot, nuk e fsheh fare, jam e lumtur, por më lejoni që në emër të Ministrisë së Kulturës dhe të Institutit të Monumenteve të jemi edhe krenarë e t’i falemi Zojës së Shkodrës, Pajtores së Shqipërisë, që t’i sjellë sytë ndër ne, për punë më të mira dhe për vetëdije emancipuese. Faleminderit Zoja e Shkodres, Zoja jonë!”” përfundoi ajo.

Me rastin e 550 vjetorit të përcjelljes së ikonës “Pajtorja e Shqipërisë” nga Shkodra drejt Genazzano-s në Itali, piktura “Zoja e Shkodrës”, ky thesar i trashëgimisë tonë kulturore rishfaqet në Katedralen e Shkodrës.