Pikëpyetje të reja për lidhjen e vëllait të Edi Ramës me kinezët

28.02.2016 11:15

Lapsi.al raporton se në më shumë se dy raste, edhe në emisionin "Dritare" të Rudina Xhungës edhe në Top Story të Sokol Ballës më pas, kryeministri Rama tregoi një histori. Sipas tij, një kompani e madhe kineze po përgatitej të hapte një investim të madh në zonën e Spitallës.

Pikëpyetje të reja për lidhjen e vëllait të Edi Ramës me kinezët

Por sipas asaj që tregoi kryeministri, partneri shqiptar i kësaj kompanie, fare rastësisht kishte marrë me vete në udhëtimin e tij në Azi edhe vëllain e Ramës, Olsin. “Thjesht se janë miq prej kohësh” këmbënguli Rama, duke u munduar të arsyetohej se aty nuk kishte asgjë të fajshme.

Vështirë që kjo histori të besohet kaq thjeshtë, sepse qindra mijëra shqiptarë e dinë se askush nuk të ofron një “udhëtim” ashtu kot.

Megjithatë, një nga fotot e Olsit me partnerët e tij kinezë, doli në publik.

Pikërisht me atë që bëheshin gati për investimin e Spitallës. Dhe duke u nisur nga fakti se emri i tij (pra i të vëllait) rrezultonte edhe në raportin konfidencial të OSBE-së si njeriu që ka ndihmuar në strehimin e 200 milionë eurove të Ramës, kryeministri mori një vendim të fortë dhe pa precedent në Shqipëri. Për të hequr cdo lloj dyshimi “unë e urdhërova ministrin e ekonomisë ta anullonte projektin e kinezëve në Spitallë, për të fashitur cdo dyshim”, tregoi më pas Rama në dy emisionet e lartpërmendura.

 Po a u mbyll këtu kjo histori? A ishte thjesht një aksident dhe një foto e pafajshme e Olsit? Apo mos vallë Rama nxitoi për të shmangur efektin e ortekut për një skandal më të madh?

Gazeta e Partisë Demokratike, “RD”, mbron këtë variant të fundit. Megjithëse pa burime serioze, ajo pretendon se kanë nisur hetimet për këtë çështje në Kinë. “Prokuroria kineze merr në pyetje ortakun e vëllait të Kryeministrit. Hapen hetimet në Kinë ndaj firmave kineze, që “do të zhvillonin” Spitallën, për mashtrim dhe organizim të emigracionit klandestin drejt Shqipërisë, në bashkëpunim me Edi e Olsi Ramën. A duhet të bëjë të njëjtën gjë Prokuroria shqiptare”?- shkruan sot “RD”. (Lapsi.al)