Petrit Halilaj fiton mirënjohje speciale në Bienalen e Venecias

Petrit Halilaj fiton mirënjohje speciale në Bienalen e Venecias

Artisti Petrit Halilaj, ka fituar mirënjohje speciale në Bienalen e Venecias me motivimin: lidhja mes Kosovës dhe kujtimeve në fëmijëri.

Halilaj, emër tashmë i njohur i artit shqiptar dhe jo vetëm i arrirë brenda kufijve, i ka falënderuar të gjithë ata që kanë punuar me të dhe duke ia dedikuar çmimin nënës së tij, Shkurte Halilaj.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu, kam ardhur këtu për herë të parë katër vite më parë ku kam prezantuar Kosovën dhe tani jam këtu përsëri falë miqve të mi”, u shpreh ai, raporton KultPlus.

 

Për Petrit Halilajn në Instagram ka postuar edhe një tregtar i njohur i artit në Francë, Kamel Mennour, duke e paraqitur instalacionin e realizuar nga Halilaj. (Shihni foton më poshtë)

Që nga instalacionet e tij sensacionale të paraqitura në Bienalen 2010 të Berlinit, dhe në Art Basel të vitit 2011, Petrit Halilaj numërohet si njëri ndër artistët më të respektuar në nivel ndërkombëtar.

Halilaj është përfaqësuesi i parë i Kosovës në Bienalen e Venecias në Itali, në vitin 2013-të.

Artisti ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Milano të Italisë, ndërsa ka ekspozuar në Prishtinë, Bon, Koln, Cologne, Paris etj.

Para dy vitesh ka nisur Hajde Foundation, një fondacion për të ndihmuar artistët e rinj nga Kosova.  Ai jeton dhe punon në Kosovë, Itali dhe në Gjermani, Berlin.

Mirënjohja Petrit Halilajt i është dhënë pasi që janë ndarë çmimet për ekspozitën Viva Arte Viva në Bienalen e Venecias. Përfaqësues i Kosovës për këtë vit ishte, Sislej Xhafa, i cili ishte favorit për të fituar, por që nuk fitoi asnjë çmim.