Peticion për largimin e ambasadores turke nga Kosova

Peticion për largimin e ambasadores turke nga Kosova

Kërkesa e ambasadës së Turqisë në Kosovë, për arrestimin e gazetarit kosovar Berat Buzhala, ka shkaktuar reagime ndaj ambasadores së Turqisë, Kivilcim Kiliç, në opinionin publik të Kosovës.

Përmes internetit, Organizata joqeveritare SHAK – Shoqëria Aktive e Kosovës, ka nisur peticionin për shkarkimin e ambasadores së Turqisë në Kosovë Kivilcim Kiliç, për shkak se “një ambasadore që bën thirrje për arrestimin dhe dënimin e gazetarëve është e papranueshme për shoqërinë tonë”.

Opsion tjetër për SHAK është edhe kërkim falja e ambasadores turke, raporton Insajderi.

“Nga Ambasada Turke në Prishtinë kërkojmë që në afat sa më të shpejt të kërkojë falje për këtë veprim skandaloz, ndërkohë që po ashtu kërkojmë largimin nga Kosova të Ambasadores së Turqisë Kivilcim, Kiliç”, thuhet në përshkrimin e peticionit.

Ambasadorja Kiliç përmes një kërkese zyrtare i ka kërkuar ministrisë së Punëve të Brendshme për arrestimin Buzhalës, pasi që sipas tyre, gazetari kosovar kishte bërë thirrje përmes rrjetit social Facebook “për luftë të kosovarëve në Turqi, kundër Erdoganit”.

Buzhala nga ana e tij ka thënë se thirrja e tij ka qenë satirike. /Insajderi.com