Pesë vjet burgim për sulmuesit e Konsullatës së Turqisë në Prizren

Pesë vjet burgim për sulmuesit e Konsullatës së Turqisë në Prizren

Ilirjan, Egzon, Bledjan dhe Edon Saramati, së bashku edhe me të akuzuarin Bjeshkan Badallaj, të cilët akuzoheshin për sulmin e kryer më 28 nëntor 2016, ndaj konsullatës turke në Prizren, të premten, janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prizren.

Aktgjykimin e ka shpallur kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, i cili ka deklaruar se të akuzuarit janë liruar nga akuza e rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, ndërsa janë dënuar me nga një vit burgim secili, për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Të akuzuarve, brenda dënimit prej një viti burgim, do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej 28 nëntorit 2016, deri më 27 gusht 2017.

Po ashtu, trupit gjykues, ka vendosur që të konfiskohet vetura me të cilën të akuzuarit kanë kryer veprën penale dhe secilin prej të akuzuarve i ka ngarkuar me shpenzimet procedurale prej 200 euro.

Ndërsa, palët në procedurë janë njoftuar për të drejtën e tyre në ankesë nëse nuk janë të kënaqur me vendimin e trupit gjykues, brenda 15 dite pasi që të pranojnë aktgjykimin në formë të shkruar.

Më 22 shkurt 2017, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Ilirijan, Egzon, Bledjan e Edon Saramatit dhe Bjeshkan Badallajt, me të cilën i akuzonte se kanë kryer veprën penale të rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Sipas aktakuzë në fjalë, të akuzuarit, më 28 nëntor 2016, në orët  hershme të mëngjesit, me automjet “Pik Up”, pasi kanë marrë benzinë në një nga pompat e benzinës, i janë afruar konsullatës turke në Prizren dhe të njëjtën e kanë sulmuar me “koktej molotovi”.

Aktakuza përshkruan se si i akuzuari Edon Saramati ka qëndruar afër automjetit të parkuar në afërsi të konsullatës, Bledjani dhe Egzoni kanë vëzhguar terrenin përreth  konsullatës, ndërsa Ilirjan Saramati dhe Bjeshkan Badallaj, kanë hedhur nga një koktej molotovi ne drejtim të konsullatës.

Organi i akuzës pretendonte se të akuzuarit me këto veprime kanë rrezikuar seriozisht lirinë e konsullit dhe personave tjerë në atë konsullatë.