Pesë persona janë arrestuar për drogën në ambasadë

Pesë persona janë arrestuar për drogën në ambasadë

Pesë persona që dyshohet se janë anëtarë të një rrjeti trafikues të drogës, janë arrestuar në Argjentinë dhe Rusi, në kuadër të një hetimi të përbashkët policor.

Ky hetim ka nisur një vit më parë, pasi 389 kilogramë kokainë ishin gjetur në ambasadën ruse në Buenos Aires, kanë thënë zyrtarët e Argjentinës.

Ministrja e Sigurisë së këtij vendi, Patricia Bullrich, ka thënë se hetimi ka rezultuar me arrestimin e një qytetari me shtetësi ruse, i cili më parë ka qenë anëtar i forcave policore në Buenos Aires dhe një tjetër banori me shtetësi të vendit të Amerikës Jugore.

Hetimi ka nisur në dhjetor të vitit 2016, pasi ambasadori rus në Argjentinë kishte raportuar tek autoritetet e këtij shteti se ka pasur dyshime për një valixhe të gjetur në ambientet e ambasadës.

Në momentin që autoritetet kanë kuptuar se trafikantët kanë tentuar të transportonin 16 valixhe me kokainë nga ambasada përmes një fluturimi diplomatik, “në çantat e tyre është vendosur një pajisje për të monitoruar dërgesën”, u ka thënë Bullrich gazetarëve.

Valixhja është dërguar në Rusi më 2017, ndërsa Bullrich ka thënë se tre anëtarë të doganës së Argjentinës, kanë udhëtuar drejt Rusisë për të vëzhguar procesin.

Dy persona janë arrestuar në momentin që kanë shkuar për të marrë valixhen, derisa një ish-zyrtar i ambasadës është arrestuar në banesën e tij në Moskë.

Një tjetër i dyshuar është duke u kërkuar me fletë-arrest ndërkombëtar.

“Ky ka qenë njëri nga rastet më komplekse dhe më të jashtëzakonshme me të cilat është përballur Argjentina, sa i përket rasteve të drogës”, ka thënë Bullrich.

Ajo ka thënë se disa agjentë të shërbimit të sigurisë së Rusisë kanë udhëtuar në Argjetinë për të ndihmuar hetimet.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka kritikuar raportimet në media duke thënë se ky rast ka “hedhur hije” në trupat diplomatike të Rusisë.

“Në fakt është e kundërta”, ka thënë ajo.

“Suksesi i këtij operacioni ka ndodhur për shkak të hapave të dobishëm të ambasadorit rus dhe personelit të tij dipomatik”, ka shtuar ajo.