Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll: Me padurim presim ndeshjen kundër Hungarisë

Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll: Me padurim presim ndeshjen kundër Hungarisë

Përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Brad Greenberg pas disfatës nga Hungaria ka thënë se me padurim po e pret ndeshjen e kthimit, që do të luhet në Dritaren e Tretë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”. Dritarja e Tretë do të zhvillohet në muajin qershor të vitit të ardhshëm.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, të dyja ekipet shfaqën një lojë të fortë fizike, të dyja ekipet luajtën mjaft mirë, por ishte çereku i tretë ai i cili e bëri dallimin në fushë, kur Hungaria u shkëput në rezultat në një pjesë të lojës të dhjetëminutëshit të tretë. Ata shënuan disa trepikësha në pjesën e dytë, që ishte një faktor i madh.

Ne patëm rastin të shohim një paraqitje të mirë nga Lis Shoshi në këtë ndeshje. Patëm shansin të fitojmë kundër Hungarisë, por ajo çfarë ndodhi në çerekun e tretë na kushtoi shumë. Ne ia dolëm ta ngushtojmë epërsinë e krijuar nga hungarezët në 6 pikë, por jo më shumë.

Unë ia uroj fitoren Hungarisë, është një fitore e madhe për ta në shtëpi, ndërsa ne padurim presim të luajmë kundër tyre në Prishtinë”.

Duhet theksuar se Kosova i ka regjistruar dy humbje në Dritaren e Parë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, nga Lituania në shtëpi dhe nga Hungaria si mysafire.

Dritarja e Dytë do të luhet në muajin shkurt të vitit të ardhshëm dhe Përfaqësuesja jonë të dyja ndeshjet do t’i luaj si mysafire, ndaj Polonisë dhe Lituanisë.