Përveç PAN-it, Hoxhaj thotë se Kosova i ka votat edhe për UNESCO dhe INTERPOL

Përveç PAN-it, Hoxhaj thotë se Kosova i ka votat edhe për UNESCO dhe INTERPOL

Angazhimi i nënkryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, për të siguruar vota, kalon kufijtë shtetëror. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ai vazhdimisht ka deklaruar se koalicioni fitues PDK-AAK-Nisma, i kanë votat e mjaftueshme për ta formuar ‘Qeverinë Haradinaj’.

“Si koalicion, e përsëris, i kemi votat por a mund të ndodhë të mbahet seanca këtë jave apo javën e ardhshme, nuk e di pasi iu takon Veselit, Haradianjt dhe Thaçit”, kishte thënë Hoxhaj.

Por, pozita e tij prej ministri të Punëve të Jashtme, tashmë më largim, ka bërë që ai të angazhohet për vota edhe jashtë vendit. Kësaj radhe për anëtarësimin e Kosovës në dy organizata të rëndësishme ndërkombëtare, siç është UNESCO dhe INTERPOL.

Siç duket, Kosova nuk e ka problem sigurimin e votave as jashtë vendit. Të paktën kështu ka thënë ministri Hoxhaj.

“Si ministër i Jashtëm i cili ende ushtron ketë post mund të them se Kosova i ka votat që të jetë pjesë edhe e UNESKOS edhe INTERPOL-it. Ne këta muajt e fundit në vitin 2017 po edhe në vitin e kaluar unë kam pasur një agjendë intensive të lotimit, kam vizituar vendet e Afrikës, të Azisë Juglindore, të Amerikës Latine dhe kam qëndruar në shumë vende evropiane dhe natyrisht që sigurimi i votave për UNESCO dhe INTERPOL ka qenë prioritet mbi prioritet”, ka thënë Hoxhaj.

Mirëpo, Hoxhaj ka theksuar se përtej votës për anëtarësim në këto mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë, Kosova duhet t’i kryejë edhe disa tema dhe çështje të brendshme që do ta lehtësojnë anëtarësimin.

“Po përtej votës Kosova ka nevojë që t’i kryejë edhe disa tema dhe çështje të brendshme për t’u bërë pjesë e këtyre dy organizatave”, ka shtuar ai.