Personeli i ambasadës serbe nesër kthehet në Shkup

Personeli i ambasadës serbe nesër kthehet në Shkup

Në një bisede telefonike mes ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç, është dakorduar një takim mes shefave të diplomacisë të dy vendeve fqinje për të premten.

Në një njoftim me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë theksohet se, “Në një bisedë të hapur në lidhje me zhvillimet e fundit, ministri Daçiç informoi se personeli i ambasadës do të kthehet përsëri në Shkup gjatë ditës së nesërme”.

Biseda mes ministrave të jashtëm të dy vendeve fqinje vjen pas tensioneve mes Maqedonisë dhe Serbisë, kur kjo e fundit tërhoqi personelin e saj nga Shkupi për konsultime urgjente në Beograd, për shkak të siç theksuan, aktiviteteve të forcuara të kundërzbulimit.

Më herët, edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç realizuan një bisedë telefonike ku u shqyrtuan të gjitha aspektet e situatës së fundit në kuadër të marrëdhënieve mes dy shteteve, shkruan AA.

“Në pajtim me atë që është dakorduar mes kryeministrit Zoran Zaev dhe presidentit Aleksandar Vuçiç, ndërsa me qëllim që të përforcohen marrëdhëniet miqësore tradicionale, ministrat e Punëve të Jashtme u dakorduan të takohen të premten në Nish të Republikë së Serbisë”, thuhet në njoftim.