Përshkrimi i Thaçit për takimin me Vuçiqin në Sofje 

Përshkrimi i Thaçit për takimin me Vuçiqin në Sofje 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për agjencinë e lajmeve të Austrisë “APA”, ka folur për takimin që kishte ditë më parë me kancelarin Kurz, për marrëdhëniet me Austrinë, perspektivën evropiane të Kosovës dhe dialogun me Serbinë.

Me këtë rast Thaçi, vlerësoi rolin e Austrisë si ndërmjetës në procesin e përafrimit të vendit të tij me BE-në.

Nga presidenca austriake e BE-së, ai pret që të dinamizojë dhe ringjallë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, transmeton KP.

Kurz e ka siguruar atë në përkrahjen në disa fusha gjatë takimit shumë të mirë. Kështu, Austria do të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Përveç kësaj, Austria do të bëjë përpjekje për të realizuar lirinë e vizave për Kosovën.

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që ende nuk përfiton nga liria e udhëtimit në BE. Megjithatë, sipas agjencisë, pas zbatimit të të gjitha kushteve të Komisionit nga ana e Kosovës, Thaçi është i bindur se kjo do të ndodhë gjatë këtij viti.

Një temë qendrore gjatë bisedës me Kurz ishte dialogu me Serbinë. Një marrëveshje ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një kusht kyç për dyja vendet për procesin e përafrimit në BE.

“Unë besoj se Kancelari Kurz mund të japë një thellësi të re për këtë proces”, thotë Thaçi. “Nuk ka asnjë alternativë tjetër për dialogun me Serbinë”. Takimi Thaçit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor në Sofje para dy javësh kaloi “pa entuziazëm”.

“Por të dyja palët janë pajtuar për vazhdimin e dialogut të kryesuar nga shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, sa më parë që të jetë e mundur dhe për ta sjellë atë në një përfundim ligjërisht të detyrueshëm”, ka theksuar Thaçi për APA-në.

Ai ka shtuar se ky proces do të jetë shumë i vështirë dhe i lodhshëm për të dyja palët.

“Në fund, megjithatë, ne do t’i japim fund konfliktit që po digjet për një shekull. Dialogu në Prishtinë nuk është shumë popullor”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se njeriu nuk mund t’i detyrojë njerëzit ta duan njëri-tjetrin. Por sipas tij, mund të ndërtohet një bazament i mirë për një fqinjësi të mirë për t’i dhënë Kosovës një perspektivë euroatlantike.

Thaçi për APA ka thënë se arritjet e Kosovës në dhjetë vitet e fundit që nga shpallja e pavarësisë, ku ka një rritje të qëndrueshme dhe stabilitet buxhetor. Sipas tij, është krijuar një klimë e mirë investimi që tërheq sipërmarrësit austriakë.

“Në fushën e drejtësisë dhe arsimit janë kryer reforma të rëndësishme”, ka shtuar ai.

Megjithatë, presidenti kosovar paralajmëron pasojat e izolimit të Kosovës nëse perspektiva e saj euroatlantike do të mohohet.

“Në veçanti, rinia, e cila është e prekur nga papunësia e lartë, mund të ndikohet gjithnjë e më shumë nga rryma që janë në kundërshtim me vlerat perëndimore. Duhet ta njohim potencialin që kosovarët e rinj posedojnë, të cilët të trajnuar mirë mund të ofrojnë për tregun evropian të punës”, ka shtuar ai.