Zyra për media e Kuvendit të Kosovës i ka dërguar sot një e-mail të pazakonshëm. Intervista e krye parlamentarit Kadri Veseli " />

Përshkrimi i “Die Presse” për Kadri Veselin: Udhëhoqi një shërbim informativ të afërt me PDK-në

Përshkrimi i “Die Presse” për Kadri Veselin: Udhëhoqi një shërbim informativ të afërt me PDK-në

Zyra për media e Kuvendit të Kosovës i ka dërguar sot një e-mail të pazakonshëm. Intervista e krye parlamentarit Kadri Veseli dhënë gazetës austriake “Die Presse”, e përkthyer në gjuhën shqipe, i është dërguar për publikim mediave në Kosovë.

Është cekur në njoftim se kjo është një intervistë e Veselit “dhënë për gazetën prestigjioze austriake “Die Presse”.

 E titulluar “Veseli për Die Presse: Treni ishte provokim i Serbisë”, në përkthimin shqip të intervistës tregohet se kryetari i Kuvendit ka folur për problemet në pjesën veriore të vendit. Tregohet, po ashtu, se Veseli ka thënë se “ajo që po ndodh sot në Veriun e Kosovës kujton operacionet në Gadishullin e Krimesë, para se ajo të aneksohej nga Rusia”.

Por, intervista e publikuar nga “Die Presse”, nuk është përkthyer në tërësi nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës. Është lënë anash pjesa ku redaksia jep shënime për të intervistuarin.

Redaksia e “Die Presse”, ka shënuar se i intervistuari është kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK-së, i cili më herët ka qenë udhëheqës i shërbimit informativ gjatë luftës në Kosovës. Tregohet se në pozitën e kreut të PDK-së e ka pasuar Hashim Thaçin.

“Die Presse”, po ashtu, ka shënuar se Veseli pas luftës ka udhëhequr Shërbimin Informativ të Kosovës.

“Pas luftës ka udhëhequr SHIK-un, shërbimin informativ të afërt me PDK-në e drejtuar nga Thaçi”, thuhet në përshkrimin që “Die Presse”, i bën Kadri Veselit.

Kreu i parlamentit të Kosovës ka mohuar në vazhdimësi se SHIK-u ishte një organizatë e afërt me ndonjë parti politike.

E ka cilësuar tërë kohën si organizatë legale, e cila ka punuar në të mirë të vendit. Sipas tij, SHIK-u ka pasur partneritet me shërbimet e shteteve perëndimore, të cilat e kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës.