“Përqendrohuni më shumë në ndëshkim të krimit e korrupsionit sesa në datë të liberalizimit”

“Përqendrohuni më shumë në ndëshkim të krimit e korrupsionit sesa në datë të liberalizimit”

​Ambasadori i Mbretërisë së Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson, thotë se nuk është koha që të jepen parashikime për datën e mundshme për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas tij, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret që Komisioni Evropian ia ka përcaktuar për liberalizimin, përpos njërit, e ai është kriteri për luftimin e korrupsionit.

Për këtë Komisioni Evropian kërkon raport me vendimet finale gjyqësore për raste të krimit të organizuar dhe atij të nivelit të lartë, si korrupsionit zyrtar.

Nilsson thotë se këtu edhe duhet të jetë fokusi i Qeverisë së Kosovës, në përmbushjen e këtij kriteri të fundit, që jo vetëm përmbush obligimet në procesin e integrimit evropian të Kosovës, por i sjellë të mira gjithë shoqërisë kosovare.

Në një intervistë për KosovaPress, ambasadori i shtetit që renditet si i katërti për nga investimet që bënë në Kosovë dhe ku jetojnë afro 47 mijë kosovarë, Suedisë, flet për situatën politike në Kosovë, për nevojat që lidershipi i Kosovës duhet të adresojë në fushën e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, sidomos për komunitetet e cenueshme që janë në gjendje të rëndë sipas tij.

Për ambasadorin e Suedisë, e cila është shtet anëtare e BE-së, si dhe është duke implementuar projektin afro 74 milionë eurosh në reformat e Kosovës për integrimin e saj në BE, parashikimi i një date të mundshme për liberalizimin e vizave për Kosovën tani për tani është e vështirë të jepet.

“Mendoj se është e rëndësishme që kur flasim për liberalizimin e vizave të qëndrojmë tek 90 kriteret plus ato që Komisioni Evropian ka përcaktuar për Kosovën, dhe vlerësimi jonë është që në rregull, ka mbetur edhe një kriter, ndërsa të tjerat janë përmbushur. Ne jemi në kontakt të ngushtë me Komisionin Evropian dhe, si ta them, ata e kanë edhe përvojën kur vjen fjala për të vlerësuar nëse Kosova nuk e ka përmbushur si duhet një kriter apo jo. Unë dua të theksoj po ashtu se këto kritere janë, sigurisht synimi ka qenë arritja e liberalizimit të vizave dhe për të udhëtuar lirshëm në shtetet e zonës Schengen, por janë si të them edhe shumë përfitime tjera për shoqërinë kosovare në përgjithësi…Unë mendoj që është shumë vështirë që të bëhen parashikime në këtë kohë, sepse është e pamundur të dihet tani për tani. Ndoshta nuk është shumë frytdhënëse që në këtë kohë dhe situatë të mendo het shumë për datën se kur do të ndodh, sa do të ishte fokusimi në plotësimin e kriterit të fundit dhe pastaj të niset prej aty”, ka thënë Nilsson për Kp.

Ai po ashtu ka folur për kërkesën e KE-së ndaj Kosovës që të dorëzohet një raport të historikut (track record report) me të dhëna lidhur me vendime finale gjyqësore, pra të Apelit, për raste të krimit të organizuar dhe korrupsioni, e sidomos korrupsionit zyrtar.

Nilsson këshillon Qeverinë e Kosovës që të fokusohet në këtë kërkesë sa i përket vizave më tepër se sa në datën.

“Ne bashkëpunojmë ngushtë me Komisionin Evropian dhe Komisioni Evropian me Qeverinë e Kosovës dhe këtu është e shtrirë gjithçka, nëse mund të them kështu. Ata [Komisioni Evropian] kanë kërkuar një raport (track record) dhe kur KE e bënë vlerësimin mbi këtë ne e dëgjojmë më vëmendje vlerësimin për këtë, dhe unë nuk kam ndonjë këshillë të veçantë përtej kësaj pra. Sepse më tepër do të inkurajoja Qeverinë e Kosovës që të punojë për të përmbushur këtë kriterin e fundit”, ka thënë ambasadori Nilsson.

Ambasadori Nilsson, i cili përfaqëson Qeverinë e Suedisë në tre shtete të Ballkanit, Kosovën Maqedoninë dhe Shqipërinë, ka folur ndër të tjerash edhe për marrëdhëniet Kosovë- Suedi duke i quajtur të “shkëlqyera”. Si bazë për këtë ka përmendur faktin se afro 47 mijë kosovarë jetojnë në Suedi, bazë kjo që sipas tij, lidhë dy shtetet fuqishëm.

Ai ka thënë se Suedia e mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së, porse angazhimin më të madh politik të shtetit të tij në Kosovë e sheh përmes reformave.

“Si Ambasador i Suedisë në Kosovë, kjo është fusha në të cilën jam fokusuar që të kontribuojë sa më shumë që mundem, në mënyrë që ta sjellë Kosovën sa më afër Bashkimit Evropian, dhe vendi apo mjeti për ta bërë këtë është nëpërmjet reformave. Kështu që ne investojmë shumë burime dhe po ashtu shumë punë në bashkëpunimin me Kosovën në mënyra të ndryshme ashtu që Kosova të reformohet në rrugën e saj për në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Vetëm këtë vit Qeveria Suedeze ka ndarë afro 74 milionë euro për Qeverinë e Kosovës në mbështetje të reformave në demokraci, ekonomi, zhvillim shoqëror, etj. Krejt kjo në kuadër të angazhimit të Qeverisë suedeze për të mbështetur procesin e integrimit evropian për Kosovën, për çka ishte nënshkruar një marrëveshje me ministrin e atëhershëm të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollakun, në tetorin e vitit 2015.