Përplasja mes Lekajt dhe Zharkut për 53 milion eurot – “Kemi qenë të detyruar”

Përplasja mes Lekajt dhe Zharkut për 53 milion eurot – “Kemi qenë të detyruar”

Qeveria e Kosovës, do ta kompensojë kompaninë Bechtel Enka me një shumë prej 53 milionë euro, pas zgjatjes së kontratës për autostradën “Arbën Xhaferi”, deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se këtë e kanë bërë që të mos  e lejojnë vendin, që të kalojë në konteste ligjore, e të cilat do të përfundonin në Gjykata ndërkombëtare.

Ministri i Infrastrukturës  Pal Lekaj,  fajin për këtë e ka hedhur tek Qeveria e kaluar, e cila sipas tij  nga  viti 2014 deri 2017, nuk ia kishte paguar me rregull faturat vjetore kësaj kompanie dhe se  për shkak të këtyre vonesave,  është dashur të shtyhet afati për përfundimin e punimeve deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Të ndodhur në këtë situatë, Lekaj tha se në më pak se një muaj nga marrja e detyrës, kanë  qenë të detyruar të vazhdojmë kohëzgjatjen e kontratës, në mënyrë që të mos ndërpriteshin punimet, gjë që do të kishte pasoja të dëmshme për vendin.

Por paraardhësi i Lekajt, ish ministri i Infrastrukturës  Lutfi Zharku mohon të gjitha ato që ka thënë Lekaj.

Ai tha për  KP se Qeveria e kaluar, i ka kryer të gjitha detyrimet, që kanë qenë në përputhje me kontratën.

Zharku tha se për shtyrje të punimeve, ata kanë pasur një marrëveshje, për t’ia  paguar  ‘Bechtel Enkes’ një shumë prej 14 milionë euro. Ndërsa, kërkon nga Qeveria që të jap sqarime, se si erdhi tek shuma prej 53 milionë euro, e cila nuk është paraparë me kontratë.

E gjithë kjo situatë, sipas Zharkut  nuk është pasojë e mos kryerjes së punëve nga Qeveria e kaluar, por si pasojë e keqmenaxhimit të kësaj Qeverie.

“Jo kurrë. Jo kurrë. Kjo është pasojë e keqmenaxhimit të kësaj Qeverie”, tha ai.