Përplasja mes Vetëvendosjes dhe RTK-së për Kadri Veselin

Përplasja mes Vetëvendosjes dhe RTK-së për Kadri Veselin

Akuza e Lëvizjes Vetëvendosje se portali i televizionit publik duket “si faqe personale” e Kadri Veselit ka ngjallur reagimin e drejtuesit të portalit, i cili thotë se partia më e madhe opozitare po “falsifikon” për të mashtruar qytetarët.

Një fotografi e shpërndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, në të cilën shihet kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në 11 lajmë të ndara brenda një apo dy orëve në portalin e RTK-së, është bërë temë debati mes kësaj partie dhe drejtorit të ueb faqes së televizionit publik.

Vetëvendosje ka thënë të martën se kjo fotografi tregon se televizioni publik është në shërbim të Kadri Veselit, duke e quajtur atë si Radio Televizioni i Kadrisë.

“Web faqja e televizionit publik të Kosovës, duket më shumë si ëeb faqe personale e Kadri Veselit! Nga 13 lajme kryesore në ballinë, 11 janë për Kadri Veselin dhe PDK-në!”, thuhet në përshkrimin e VV-së ndaj kësaj fotografie.

Por, Altin Ahmeti, kryeredaktor i portalit, ka thënë se Vetëvendosje ka manipuluar me qytetarët, meqë ka zgjedhur të fotografojë portalin në ditën kur PDK ka mbajtur konventën zgjedhore dhe kur në të njejtën kohë nuk ka pasur zhvillime të tjera në vend.

“Është mirë t’i tregoni njerëzve, por jo duke i mashtruar. Tregojuni qe ishte dite e shtunë dhe në konventën e PDK-se, po zgjidhej kryetari i ri. Dhe asnjë aktivitet tjetër nuk zhvillohej ne vend. Lajmet kryesore vinin nga ky subjekt,” ka qenë arsyetimi i kryeredaktorit për mbulueshmërinë e madher të tyre ndaj kësaj ngjarje.

Për më tepër, drejtuesi i portalit të RTK-së pretendon se në portalet e tjera të vendit ka pasur më shumë lajme për këtë ngjarje.

“Çfarë mund të bëjmë ne si media në këto kushte? Ne gjithashtu mund të iu ofrojmë fakte se kemi publikuar lajme për PDK dhe kryetarin e saj, më pak se çdo portal tjetër… E dini pse??? Sepse gjatë fundjavës punojmë me staf te reduktuar dhe vetëm një person është kujdestare .. Ju edhe ashtu keni personel që qëndrojnë, vëzhgojnë, shkruajnë komente nëpër media online dhe Facebook gjatë 24 orëve”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

“Nuk duhej te isha habitur me veprimin, por vetëm me amatorizmin e fotomontazhit”, ka thënë Ahmeti ndër të tjerash.

Lëvizja Vetëvendosje dhe RTK kanë një histori përplasjesh mes tyre.  Të martën, deputetja Shqipe Pantina, e cila është anëtare e Komisionit Parlamentar për media, ka kërkuar shkarkimin e bordit të Televizionit Publik të Kosovës.

Sipas saj, RTK është bërë shembull i keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të taksave te qytetarëve.

“Përkundër faktit që RTK merr nga buxheti 10 milionë euro ne vit asnjëherë nuk ka raportuar se ku i shpenzon këto para. Ky institucion është i zhytur në borxhe që arrinë në shumën 7 milionë euro”, tha Pantina./Insajderi.com