Përplasen rreth njohjes së Kosovës, MPJ e Maqedonisë reagon ndaj Daçiqit

Përplasen rreth njohjes së Kosovës, MPJ e Maqedonisë reagon ndaj Daçiqit

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili shprehu dyshim rreth pjesëmarrjes së Maqedonisë në organizata ndërkombëtare me emrin kushtetues – ‘Maqedoni’. Daçiq ka thënë se Maqedonia duhet të përfaqësohet me emrin IRJM.

Këto deklarata të Daçiq, erdhën pasi paraprakisht kryediplomati serb deklaronte se “Serbia ka gabuar që e ka njohur emrin kushtetues të Maqedonisë”, duke i dalë në njëfarë mënyre kundër Greqisë. Ai këtë e kishte arsyetuar me njohjën dhe përkrahjen që Maqedonia ia ka dhënë Kosovës.

Maqedonia e ka njohur Kosovën dhe e ka përkrahur atë për anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare, përfshirë dhe UNESCO-n.

Nga MPJ për agjencinë “Meta” thonë se ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, frikësohet që mllefin e tij shovinist ta drejtojë drejt fuqive të mëdha.

“Ta pyesim Daçiqin pse nuk sillet kështu me gjithë vendet që e kanë pranuar Kosovën, si SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe, miqtë tradicional Francën, Italinë dhe shtete tjera. Ta pyesim se pse nuk bëjnë gjeste të njëjta me qindra vende të botës që e kanë pranuar Kosovën dhe pse me kolegët e gjithë këtyre vendeve realizojnë takime? Pse realizon takime me BE-në, ku mbi 80% e vendeve e kanë pranuar Kosovën? Pse pikërisht para zgjedhjeve presidenciale në Serbi, i’u kujtua Daçiqit të merret me shtete të vogla në Evropë, si Maqedonia dhe Mali i Zi?”, thuhet në deklaratën e MPJ-së së Maqedonisë. /Insajderi.com