Përmbajtja e ftesave që Haradinaj ua dërgoi Mustafës dhe Ymerit

Përmbajtja e ftesave që Haradinaj ua dërgoi Mustafës dhe Ymerit

I nomunuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur sot se edhe zyrtarisht i ka ftuan në takim konsultativ kreun e koalicioni LAA, Isa Mustafa, dhe atë të Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Por nuk ka shkuar shumë gjatë dhe Isa Mustafa i është përgjigjur Haradinajt rreth ftesës. Mustafa e ka refuzuar atë duke thënë se tashmë LDK e ka bërë të qartë se nuk hyn në asnjë koalicion ku është edhe PDK-ja.

Në letrën e Haradinajt drejtuar Isa Mustafës, i kërkon atij që për hir të interesit nacional të takohen dhe të diskutojnë rreth pikëpamjeve për ndërtimin e institucioneve.

Letrat kanë përmbajtje të njëjtë, si për Mustafën, ashtu edhe për Ymerin.

I nderuar z. Mustafa/ I nderuar z. Ymeri

Kosova ka zhvilluar një proces të drejt dhe të rregullt zgjedhor, duke rikonfirmuar rrugën e sigurt të konsolidimit të demokracisë dhe të shtetndërtimit.

Qytetarët e Kosovës presin nga institucionet e dala nga zgjedhjet që të avancojnë agjendën e interesit nacional të ndërtimit të shtetit ligjor, zhvillimit ekonomik dhe përparimit të Kosovës në proceset e integrimit euro-atlantik.

Në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, të datës 11 qershor 2017 e të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në cilësinë e të nominuarit të koalicionit fitues, ju ftoj për një takim konsultativ me qëllim të diskutimit të pikëpamjeve rreth ndërtimit të institucioneve të reja në Kosovë.

Diskutimi për çështjet e interesit nacional dhe të bashkëpunimit e bashkërendimit institucional duhet të jetë praktikë e vazhdueshme me qëllim të formimit të demokracisë së brendshme në Kosovë.

Ju ftoj që takimin ta zhvillojmë në datë 11 korrik, në ora 12:00, në mjediset e Kuvendit të Kosovës.