Rrëfim në vetën e parë

Përkthyes i takimit sekret mes babait dhe së bijës

Të premten në kanalin SRF, televizioni publik zvicerian është shfaqur një dokumentar në të cilin rrëfehet historia e Karin, një vajzë nga Mitrovica e adoptuar nga prindër zviceran. Ajo në udhëtimin disa ditor në Kosovë, zbulon origjinën e prindërve të saj dhe takohet me babanë biologjik. Për herë të parë pas 20 vitesh. Por ata nuk kuptoheshin mes vete kështu që mu desh të jem përkthyes i tyre. Ky është rrëfimi që nuk është shfaqur në dokumentarin që bëri bujë në Zvicër.

Përkthyes i takimit sekret mes babait dhe së bijës

Asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në një situatë të sikletshme por edhe të jashtëzakonshme si eksperiencë, sesa në një takim, diku në një restorant të vendosur në një kodër të Mitrovicës Jugore.

Kam qenë shumë herë përkthyes apo “Fixer”i shumë takimeve por asnjëherë nuk e kam rregulluar një takim dhe më pas përkthyer atë, në mes të babës dhe bijës.

Kjo ka ndodhur verën e kaluar. Një ekip i televizionit publik zviceran  erdhi në Kosovë për të realizuar një dokumentar në të cilin personazh kryesor ishte Karin Dubler.

Karin e takoj në aeroportin e Prishtinës për herë të parë me babanë e saj adoptues. Qëllimi i televizionit zviceran përmes Karin ishte realizimi i një dokumentari udhëtues nëpër Kosovë të njihej më mirë me vendin e saj.

Për zviceranët ky ishte një dokumentar në vendin e origjinës së Karin por për vet Karin apo Laura Rashitin, Kosova nuk ishte vend i origjinës. Së paku deri ditën kur erdhi në Kosovë.

Si krejt paragjykimet për Kosovën në Zvicër edhe Karin kishte të njëjta ide. Por këto ide iu zhdukën pasi ia tregova disa vende e të dhëna për Kosovën.

Por përjetimi i Kosovës me të, është një tjetër rrëfim.

Karin ka lindur në Zvicër nga nëna shqiptare e cila në kohën kur kishte lënë Kosovën, ishte në një lidhje me një person tjetër, nga Mitrovica. Kaq dinte Karin për familjen biologjike.

Me nënën e saj biologjike ajo kishte ruajtur kontaktet gjatë tërë këtyre viteve por me babanë e saj biologjik nuk kishte folur asnjëherë.

Gjithçka që kishte dhe njihte nga babai i saj ishte një fotografi.

Pasi kaluam disa ditë nëpër Prishtinë ku shijuam jetën e natës e ne Pejë bjeshkët e Rugovës bashkë me ushqimin tradicional e vallet folklorike, Karin mori një mesazh.

Babai i saj biologjik kishte marrë vesh se e bija e tij të cilën kurrë nuk e kishte takuar ishte në Kosovë.

Ai dëshironte ta takonte të bijën e tij. Por pa kamera dhe pa e ditur askush i familjes së tij.

Karin mu lut që të ta ndihmoja në këtë takim me të atin, për të cilin dinte tepër pak. Ajo dinte gjuhën zvicerane dhe angleze, ndërsa babai i saj biologjik dinte vetëm gjuhën shqipe.

Për mua kjo ndihmë ishte tepër e lehtë, deri në momentin kur Karin u takua me babanë e saj të vërtetë.

Ai ishte një ushtarak i lartë, dhe pak i ndrojtur. Na priti tek stacioni i autobusëve në Mitrovicë.

“A ka kamera”, ishte pyetja e tij e parë. Ai nuk dëshironte që takimin me  të bijën e tij të mos e merrte vesh askush.

Tash ishte i martuar dhe kishte fëmijë. As bashkëshortja e as fëmijët e tij nuk e dinin për Karin, ajo thjeshtë nuk ekzistonte në familjen e tij.

“Jam i bindur se gruja nuk do ta pranonte Karin”, thotë ai dhe më kërkon t’ia përkthej Karin.

Ka qenë një gjë e rëndë për mua që t’ia përktheja këtë gjë Karin. Nuk e kisha menduar asnjëherë se një gjë e tillë do të më binte t’ia  thosha dikujt.

Por Karin e merr me shumë sportivitet. Ajo e dinte mentalitetin e babait të saj. I kishte treguar nëna e saj biologjike që sot jeton me dikë tjetër në Zvicër.

Ne hipim në një veturë dhe kërkesa e babait ishte që të drekonim në një restorant në periferi të qytetit. Kamerat dhe ekipi i televizionit zviceran mbesin në qytet. Na presin tek Ura e Ibrit.

[arve url=”http://m.srf.ch/play/tv/meine-fremde-heimat/video/meine-fremde-heimat—kosovo?id=dfbdc08a-e727-4b76-8831-9e530b3c2367″/]

Gjatë tërë kohës sa babai i Karin voziste, mbretëronte një heshtje. Babai më fliste mua dhe jo të bijës.

Çdo pyetje që ma bënte kishte të bënte me Karin. Sesi e kam takuar, se në çfarë cilësie e kam takuar. Ia them të gjitha, normalisht të vërtetën.

Karin bëhet kurioze dhe më kërkon që ta pyes për diçka kruciale: si ndodhi që ajo mbeti pa prindër dhe u dha për adoptim?

Aty bllokohet dhe babai i saj.

“Është histori e gjatë… të shkojmë të drekojmë dhe t’i them të gjitha”, i thotë ai.

Qyteti i Mitrovicës dukej i tëri nga lartësia në të cilën gjendej restoranti.

“Nëse dikush na sheh dhe na flet unë i them se ti je i afërmi jo vajza”, më thotë babai i Karin.

“Çfarë po thotë”, më pyet Karin. Ia përktheva. Çuditërisht e mirëkuptoj.

Në fakt, kam mbetur i impresionuar nga mirëkuptimi që Karin kishte për arsyetimet e të atit.

Ashtu siç parashihte ushtaraku, atij i folën shumë njerëz në restorant. Rrëfimi i tij ishte: unë jam një i afërm i tij dhe kam ardhur me shoqen nga Gjermania.

Pasi porositëm drekë, babai i Karin më thotë ti përkthej Karin diçka.

“Më trego se qysh e din historinë time. Qysh të ka tregu nëna jote”, kërkon të di babai i Karin.

Rrëfimi i Karin është i gjatë. Nëna e saj i ka treguar një rrëfim paksa trishtues. Ajo ka qenë në lidhje me babin e Karin për shumë vite. Para luftës ajo niset në Zvicër dhe humbet kontaktin. Nuk i tregon se është shtatzënë. Por në ndërkohë është njoftuar me dikë tjetër dhe ai dikush tjetër nuk e ka pranuar me të bijën. Kësisoj ajo jep Laurën për adoptim.

Laura bëhet Karin. Mbiemri Rushiti bëhet Dubler.

“Po kështu më ka thënë edhe mua”, thotë babai.

Por situata bëhet tepër më e sikletshme kur Karin fillon të bëje pyetje personale, babait të saj që e takonte për herë të parë. Ajo është 21 vjeçe.

“Pse nuk më kërkuar asnjëherë”, pyet Karin? “Pse nuk je interesuar të më takosh”, shton ajo menjëherë.

Rrëfimi i babait të saj ishte tepër prekës. Ai e kishte marrë vesh se kishte një vajzë, kur me gruan tjetër kishte lindur dy fëmijë.

“Nuk kishte shanse t’i tregoja atyre. Edhe për mua ishte shokuese”, thotë ai.

“Nuk do të pranonin kurrë dhe do të shkatërrohej gjithçka”, shton ai duke më kërkuar ti tregoj Karin.

Biseda e tyre vazhdon me shumë detaje të tjera. Dreka zgjati më shumë se 2 orë.

Historitë mes babës dhe të bijës i dija dhe unë, i dëgjoja njejtë sikur ata për herë të parë.

Dreka përfundoi me marrëveshje. Ata do të mbanin kontaktin herë pas here përmes telefonit me kushtin që gjithçka të ishte sekrete.

Në fund iu betuan njëri-tjetrit për diçka: Se do të mundoheshin ta mësonin, ai gjuhën angleze, kjo gjuhën shqipe.