Përfundon seanca ndaj Sylës – Gashi thotë se dëshmitari mohoi se u kërcënua  

Përfundon seanca ndaj Sylës – Gashi thotë se dëshmitari mohoi se u kërcënua  

Ka përfunduar seanca e hetuesisë së veçantë ndaj Azem Sylës në rastin e njohur si “Toka”, në të cilën është marrë në pyetje dëshmitari i dytë i mbrojtur nga prokuroria.

Avokati i Sylës, Tomë Gashi tha se dëshmitari i mbrojtur ka mohuar të ketë qenë i kërcënuar apo frikësuar nga ish deputeti Syla.

“Në pyetjet e mia ky dëshmitar ka qenë korrekt duke treguar se fqinji i tij vetëm e ka kontaktuar pa e kërcënuar apo tentuar të ndikoj te ai, as nuk e ka friksuar, kjo ka qene vetëm një bisedë mes tyre”, deklaroi Gashi para gazetarëve.

Azem Syla javën e kaluar është arrestuar me arsyetimin se ka tentuar të ndikoj te dëshmitari i mbrojtur, ndaj të cilit u shqiptua masa e paraburgimit prej dy muajve.

Dëshmitari i mbrojtur në një intervistë për Insajderin ka folur për dy persona që dyshohet se e ka vizituar atë njëri gjatë kohës së Syla ka qenë në paraburgim e tjetri pas daljes së tij nga burgu.

Dëshmitari ka rrëfyer për Insajderin përvojën me këta ndërmjetës.

“Personi i parë që ka qenë në kohën sa ka qenë Syla në burg më ka kërkuar që mos të dëshmojë kundër tij. Vetëm Dajën ruje”, i kishte thënë ky person, pohon dëshmitari.

Ndërkohë, pak ditë pas lirimit të Azem Sylës nga paraburgimi, dëshmitari thotë se ishte vizituar nga djali i një shoku të Azem Sylës.

“Jemi tu shku me e vizitu Dajën. A ke ndonjë porosi për të”, i kishte thënë ky person dëshmitarit.

“Nuk kam kurrfarë porosije”, ia kishte kthyer dëshmitari. /Insajderi.com