Përfundon seanca – Haradinaj e Muhaxheri shmangin përballjen në Gjykatë

05.06.2018 11:12
Përfundon seanca – Haradinaj e Muhaxheri shmangin përballjen në Gjykatë

Ka nisur përballja gjyqësore mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Ndonëse e kishte paditur për shpifje, kryeministri Haradinaj nuk ka shkuar në seancën e sotme gjyqësore që po mbahet në Gjykatën Themelore të Pejës kundër kryetarit të kësaj komune, Gazmend Muhaxheri.

Haradinaj aty po përfaqësohet nga avokati i tij, Arianit Koci.

Të njëjtën gjë e ka bërë edhe kryetari Muhaxheri. As ai nuk ka shkuar në seancë, përderisa aty ka munguar edhe avokati i tij Besnik Berisha.

Këtë e ka konfirmuar për Insajderin avokati i Haradinajt, Arianit Koci.

Për më tepër, Ramush Haradinaj në prill të vitit 2015 kishte paditur në Gjykatën Themelore të Pejës, Gazmend Muhaxherin, për veprën penale, “shpifje dhe të pavërteta”.

Padia ndaj kryetari të Pejës ishte bërë pas disa deklaratave të dhëna në mediet ndërkombëtare, ku kishte akuzuar Haradinajn se  “ende po bën para duke kontrolluar biznesin e naftës dhe lojërave të fatit” në Pejë.

Si kompensim të dëmit material, kryeministri përmes padisë kërkon 250 mijë euro dëmshpërblim  nga kreu i komunës së Pejës./Insajderi.com