Përfundojnë punimet në urën e Ibrit, së shpejti lëshohet për qarkullim

Përfundojnë punimet në urën e Ibrit, së shpejti lëshohet për qarkullim

Ndonëse ishte paraparë që në muajin prill të inaugurohet ura mbi lumin ‘Ibër’ në Mitrovicë, kjo nuk ndodhi për shkak se Komuna Veriore kishte ndërprerë punimet aty për interesa të saj.

Por, hapja e kësaj ure planifikohet të bëhet brenda pak ditësh pasi që tani aty po punohet dhe kanë mbetur vetëm disa detaje në mënyrë që ajo të konsiderohet e përfunduar.

Nënkryetari i kësaj komune, Faruk Mujka ka thënë se ura është e gatshme të vihet në qarkullim brenda 48 orëve.

“Punimet mbi urë, realisht kanë përfunduar. Ka mbetur të bëhet sinjalizimi i rrugës dhe vendkalimeve të këmbësorëve si dhe të gjelbërohet rrethrrotullimi. Ajo është e gatshme të vihet në qarkullim brenda 48 orëve nga dita që sjellët vendimi për hapje të plotë të urës edhe për qarkullim të veturave dhe mallrave, pasi që njerëzit kanë shfrytëzuar urën gjatë tërë kohës së paku në këto dy vite të fundit”, ka thënë ai.

Mujka ka shtuar se komuna ka përfunduar obligimet me kohë, por që Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës Veriore e ka sabotuar punën me qëllim që ura të jetë subjekt negocimi me rastin e ndryshimit të kufijve administrativ ndërmjet dy komunave.

“Goran Rakiqi ka sabotuar punën me qëllim që ura të jetë subjekt negocimi me rastin e ndryshimit të kufijve administrativ ndërmjet dy komunave të Mitrovicës, me çka kufiri i ri do të përcaktohej me rrjedhën e lumit Ibër dhe fshatrat Vinarc, Gushafc, Suhadoll dhe Vidimiriq do ti bashkangjiteshin Komunës Veriore. Normalisht kjo ka qenë dëshira dhe intenca e tij dhe strukturave të Serbisë, sepse bazuar në Kushtetutë kufijtë administrativ komunal janë përcaktuar qysh në vitin 2007”, ka shtuar Mujka.

Nënkryetari i komunës thotë se edhe Bashkimi Evropian duhet të jetë me e ndërgjegjshme dhe të kërkoi llogari që të zhbllokohet ky proces që është dashur të përfundoj në muajin e kaluar.