Përfundojnë hetimet në rastin Lumezi – provimi i jurisprudencës nuk është falsifikuar

Përfundojnë hetimet në rastin Lumezi – provimi i jurisprudencës nuk është falsifikuar

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar përmes një komunikate për media se ka  përfunduar procesin e grumbullimit të të gjitha informacioneve dhe fakteve të nevojshme që kanë të bëjnë me pretendimet e ish rektorit të Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani, për dosjen e provimit të jurisprudencës e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Hasani pretendonte se provimi i jurisprudencës së Lumezit është e falsifikuar.

Hetimin e këtij rasti sipas njoftimit për media,  ka bërë një prokuror vendor nën monitorimin e vazhdueshëm të një prokurori të EULEX-it.

E pas përfundimit të këtyre hetimeve, ka dalë se provimi i jurisprudencës së Lumezit nuk është i falsifikuar.

“Pas analizimit të hollësishëm të të gjitha informacioneve dhe provave të grumbulluara, si dhe deklaratave të siguruara nga të gjithë personat zyrtarë, të cilët në fillim të viteve nëntëdhjetë ishin përgjegjës për administrimin e procesit të paraqitjes dhe regjistrimit të provimit të jurisprudencës, si dhe të lëshimit të certifikatave për dhënien e këtij provimi, Prokuroria Themelore ka nxjerrë përfundimin se pretendimet e z. Hasani nuk janë të vërteta, ngase nuk janë të bazuara në fakte dhe nuk përputhen me provat e grumbulluara”, thuhet në komunikatë./Insajderi.com