“Përballja e kampionëve” dhe rikthimi i finales së 2014-ës

Trajneri Italian Carlo Ancelotti, i cili në sfidën e vitit 2014 drejtonte “mbretërit” fitimtar, tani do të synojë të përsërisë atë sukses personal, por ndaj skuadrës me të cilën po atë vit kishte fituar Ligën e Kampionëve, Real Madrid.

“Përballja e kampionëve” dhe rikthimi i finales së 2014-ës

Trajneri i Bayern Munich Carlo Ancelotti do të përballet ndaj ish-skuadrës me të cilën fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2014, derisa Bayern Munich dhe Real Madrid do ta sfidojnë njëra-tjetrën në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Shorti i hedhur sot në Nyon të Zvicrës ka vënë përball në çerekfinale edhe: Juventusin ndaj Barcelonës, Monacon ndaj Borussia Dortmundit dhe Leicester Cityn ndaj Atletico Madridit.

Vëmendje të madhe nga shorti i tërhequr mori sfida gjermano-spanjolle, Bayern Munich – Real Madrid, e cila po cilësohet si përballje kampionësh për shkak të numrit të trofeve të fituara nga të dy skuadrat në këtë garë. 11 trofe kanë madrilenët, ndërsa 5 ka fituar Bayern Munich.

Skuadra e njohur gjermane megjithëse evitoi rivalin e saj gjerman, Borussian e Dortmundit dhe skuadrën Atletico Madridin, nga e cila u eliminua një vit më pare në gjysmëfinale, nuk arriti ta shmangë edhe skuadrën 11-herë kampione të Ligës së Kampionëve, Real Madrid.

Ishte skuadra mbretërore spanjolle që pati mposhtur me rezultat të përgjithshëm 5 me 0 Bayernin, në gjysmëfinalen e vitit 2014 të Ligës së Kampionëve.

Trajneri Italian Carlo Ancelotti, i cili në sfidën e vitit 2014 drejtonte “mbretërit” fitimtar, tani do të synojë të përsërisë atë sukses personal, por ndaj skuadrës me të cilën po atë vit kishte fituar Ligën e Kampionëve, Real Madrid.

Ndeshja e parë zhvillohet më 12 prill në Mynih, ndërsa ajo kthyese një javë më vonë në Madrid.

Përballje e fortë pritet të zhvillohet edhe ndërmjet Juventusit dhe Barcelonës.

Goglat e tërhequra në Nyon kanë përsëritur duelin e finales së Ligës së Kampionëve “Berlin 2015”, por kësaj radhe në çerekfinale. Barcelona pati mposhtur Juventusin me rezultat 3-1, në atë ndeshje finale.

Barcelona futet me moral të lartë në këtë sfidë, pas fitores historike 6-1 ndaj Paris Saint-Germain në fazën e 1/16-ave të finales, ndërsa Juventus vjen në këtë sfidë si e pamposhtur në Ligën e Kampionëve.

E skuadra që ka shënuar më së shumti gola në pesë ligat më të forta të Evropës këtë edicion, Monaco, e udhëhequr nga strategu portugez Leonardo Jardim, synon të vazhdojë të befasojë edhe në Ligën e Kampionëve.

Pasi mposhti Manchester Cityn, një fazë më parë, Monaco do të ndeshet me nënkampionët e Gjermanisë, Borussia Dortmund. Ndeshja e parë çerekfinale mes këtyre dy ekipeve zhvillohet më 11 prill në “Signal Iduna Park” të Dortmudit, ndërsa e dyta tetë ditë më vonë në principatën e Monakos.

Leicester City do të udhëtojë sërish për në Spanjë, atje ku do të zhvillojë duelin e parë të fazës çerekfinale ndaj skuadrës së Atletico Madridit. Anglezët mposhtën Sevillan në fazën e kaluar.

Skuadra e Craig Shakspeare mëton të befasojë edhe “jorganxhinjtë” e Diego Simeones, në duelet që do të zhvillohen më 12 prill në Madrid dhe një javë më pas, më 18 prill në stadiumin “King Power” të Leicesterit. /Insajderi.com