Për vdekjen e vogëlushes në Angli fajtore është e ëma e jo hajnat

Hetimet zbulojnë se për vdekjen e vajzës tri vjeçe nuk janë fajtorë hajnat e veturës por e ëma e cila e kishte lënë veturën teposhtë.

Për vdekjen e vogëlushes në Angli fajtore është e ëma e jo hajnat

Siç ka lajmëruar të martën Insajderi.com, vogëlushja Kira Moore nga qyteti britanik Cardigan ishte gjetur të martën brenda veturës së përmbytur në lumin e ftohët Teifi. Mirëpo, ngjarja nuk kishte të bëjë me vjedhjen e veturës, porse fajtore ishte e ëma e vajzës.

Pas hetimit të detajuar të policisë u konstatua se si veturën e nënës në të cilën ishte vogëlushja askush nuk e kishte vjedhur, por se nëna e kishte parkuar teposhtë e cila më pas kishte rrëshqitur në lum.

Kim Rowlands (25) e kishte lënë vajzën në veturë dhe kishte shkuar deri në zyrë të cilën e udhëheqë me partnerin e vet. Pas disa momenteve është kthyer, por vetura e saj më nuk ishte aty. E pavetëdijshme se vetura është rrëshqitur në lum, ajo e kishte lajmëruar policinë për vjedhje të veturës, e më pas ka publikuar një status në Facebook.

“Ju lutem a mund të ma gjeni veturën, është vjedhur dhe vajza ime tri vjeçe është në të. Ju lutem shpërndani këtë publikim”, ka thënë Rowlands,

Pas një kërkimi të zgjeruar dy orësh, vajza dhe vetura janë nxjerrë nga lumi. Kira, e cila javën tjetër ishte dashur ta festojë ditëlindjen e tretë, u transportua në spital ku edhe ndërroi jetë.

“Vogëlushja ime e mrekullueshme dje ndërroi jetë për shkak të marrisë sime. Gjithë jetën do të jetojë me ndjenjën e fajit. Nëna të do vogëlushja ime dhe më vjen shumë keq!”, ka shkruar ajo në Facebook, transmeton Insajderi.com.

Babai i vajzës Jet Moore ka përshkruar në Facebook se si kanë shkuar deri në zyrë vetëm për të marrë disa para nga tavolina dhe kur janë kthyer kanë parë se nuk është vetura.

“Kemi shikuar kah lumi por nuk kishte asnjë shenjë. Prandaj kemi menduar se ajo dhe vetura ishin vjedhur.  Pastaj policia e ka gjetur veturën dhe e kanë nxjerrë atë. Kanë tentuar me orë të tëra ta kthejnë në jetë, por fatkeqësisht pa sukses. Të gjithë kanë dhënë gjithçka nga vetja që ta shpëtojnë. I falënderoj të gjithë për përkrahje. Ishte një vajzë jashtëzakonisht e lumtur dhe na ka bërë të gjithëve të lumtur”, ka shkruar babai.

Prindërit ende nuk janë arrestuar dhe në vendin e ngjarjes sot në mëngjes nuk kishte polici. Hetimi do të vërtetojë se a ishte frena e dorës e tërhequr para se vetura kishte rrëshqitur teposhtë përndryshe vendi për lëshimin e kajakve në lum./Insajderi.com.