Për tre muaj 71 mijë kosovarë kërkuan punë, prijnë Prizreni e Prishtina

Qytetarët e komunave të Prizrenit e Prishtinës, siç duket janë në hallë me papunësinë. Vetëm në tre muajt e parë të 2016-ës, zyrave të punësimit ia kishin mësyrë nga 10 mijë qytetarë nga secila komunë.

Për tre muaj 71 mijë kosovarë kërkuan punë, prijnë Prizreni e Prishtina

Më mirë nuk qëndrojnë as komunat e tjera.

Shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë dhe problemi për të gjetur një punë të qëndrueshme, ka bërë që shumë qytetarë të aftë dhe të gatshëm për punë t’i drejtohen zyrave të punësimit, shkruan Express.

Vetëm për tre muajt e parë të këtij viti, në Kosovë më shumë se 71 mijë kosovarë, i kanë vënë shpresat e tyre në zyrat e Punësimit.

Sipas të dhënave zyrtare nga ana e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i atyre që po kërkojnë punë në vend po rritet dita ditës.

Madje sipas statistikave numri i atyre që kërkojnë punë ka shënuar rritje gjatë muajit mars të 2016’ës.

127 mijë e 378 persona janë shënuar si punëkërkues aktiv vetëm gjatë marsit. Në shkurt kanë qenë 125 mijë e 106 persona që kanë kërkuar punë.  Përderisa në janarin e këtij viti kanë qenë 122 mijë e 913 punëkërkues. E totali i këtyre tre muajve po del të jetë 71 mijë e 975 punëkërkues në Kosovë.

Por pavarësisht kërkesave të mëdha për punë, ka pas shumë pak vende të lira të ku ata do të mund të futeshin.

Sipas të dhënave nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë qenë 1 mijë e 118 shpallje për punë gjatë tre muajve në Kosovë.

Ndërkaq sa i përket punësimit, sipas raportit, nga e gjithë popullsia në moshë pune, 26.9 për qind janë të punësuar. Shkalla e punësimit është më e lartë për meshkujt me 41 për qind krahasuar me femrat me 12.5 për qind.

Ndërkohë rreth 61 për qind e të rinjve konsiderohen si të papunë, kurse Kosova konsiderohet si vend me popullsi të re në rajon.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ndërkaq, tregojnë se papunësia e përgjithshme në Kosovë është 35 për qind, ndërkaq, varfëria ekstreme 10 për qind. /Insajderi.com