Për Ramushin “hero” dhe “kriminel”

Më kujtohen lotët e Donikës, sytë e ënjtur dhe flokët e shprishura të saj duke qëndruar tërë natën para Ambasadës sllovene në Prishtinë, duke kërkuar lirimin e ish-liderit të saj. Gjithçka ishte absurde dhe qesharake. 

Për Ramushin “hero” dhe “kriminel”

Ramush Haradinaj, sot nuk do të duhej të ishte në procedurë ekstradimi në Francë. Atje, është për fajin e shtetit të Kosovës. Sepse ky shtet nuk ka pasur kurrë dije e as guxim për t’i hapur temat e ndjeshme siç janë krimet e luftës.

Në dialogun disavjeçar në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit, nuk është biseduar kurrë për interesat dhe kërkesat e Kosovës. Gjithmonë, janë dialoguar temat dhe kërkesat e Serbisë.

Një prej temave më të rëndësishme që do të duhej të shtrohej për diskutim, është bashkëpunimi juridik mes të dy vendeve.

Kriminelët serbë që kanë kryer krime lufte në Kosovë, ndodhen në Serbi. Kriminelët shqiptarë të luftës që kanë kryer krime kundër popullatës civile serbe, shqiptare dhe komuniteteve tjera, ndodhën në Kosovë.

Sigurisht, numri i kriminelëve serbë dhe i viktimave shqiptare është shumëfish më i madh.

Të dy shtetet mbrojnë kriminelët dhe i bishtnojnë drejtësisë, pa pasur sensin, e ndjeshmërinë më të vogël për viktimat e pafajshme.

Ky numër kaq i madh viktimash civile – shumica shqiptarë, kurrë nuk do të marrin drejtësinë e merituar, nëse Kosova dhe Serbia nuk arrijnë një marrëveshje për hetime dhe ndjekje penale të kriminelëve të të dy vendeve.

Dëshmitarët po plakën e po vdesin. Kryrësit po ashtu. Kujtesa po zbehet. Edhe po u arrestuan këta kriminelë pas disa vjetësh, zor se mund të ketë dëshmitarë për të dëshmuar kundër tyre.

Rrjedhimisht, këta kriminelë do të vazhdojnë të mbesin pa u ndëshkuar. Viktimat pa e marrë drejtësinë dhe familjarët e tyre pa u kompensuar. Sepse, të dy vendet kanë interes të mbrojnë kriminelët e tyre të luftës. Sepse “kriminelët” në këto dy vende vlerësohen si “heronj”.

Pse Haradinaj ndodhet i arrestuar në Francë për fajin e Kosovës?

Më kujtohen skenat qesharake të sulmeve mbi bizneset sllovene në Kosovë kur dy vjet më parë, Ramush Haradinaj u arrestua në Slloveni bazuar në të njëjtin urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Më kujtohen edhe lotët e Donikës, sytë e ënjtur dhe flokët e shprishura të saj duke qëndruar terë natën para Ambasadës sllovene në Prishtinë, duke kërkuar lirimin e ish-liderit të saj.

Gjithçka ishte absurde dhe qesharake.

Arestimi i Haradinajt trajtohej me të njëjtin konspiracion sikurse tash. Ky konspiracion shkonte deri aty sa polici slloven që kishte zbatuar ligjin siç obligohet me rregullat e Interpolit për ndalimin e secilit që ka urdhërarrest ndërkombëtar, ishte “identifikuar” si serb.

Me të njëjtën qasje është trajtuar edhe arrestimi i Haradinajt në Francë. Demek, ky shtet është aleat tradicional i Serbisë dhe armik i Kosovës.

Kurrkush, përfshirë profesionistët nuk ka guxim intelektual e profesional të thotë se Franca ka qenë e obliguar ta arrestojë Haradinajn, ta dërgojë në burg dhe të pres kërkesën e Serbisë për ekstradim.

I janë qasur me të njëjtën logjikë dhe mendësi sikur, ata policë, prokurorë, e gjyqtarë francezë të ishin emëruar në ato pozita nga Adem Grabovci, që me një telefonatë apo urdhër direkt gojorë të lirohej apo arrestohej kushdo që do t’i prishte punë shefave të tyre.

Në vendet demokratike si Franca kjo nuk ndodh. Shteti francez po e kryen punën e vetë dhe obligimet ndërkombëtare që dalin nga anëtarësimi në Interpol.

Se sa janë të bazuara në prova akuzat e Serbisë, është muhabet krejt tjetër. Urdhëarresti është politik dhe si i tillë është duke u trajtuar edhe nga shteti Francez. Megjithatë, procedurat parashihnin arrestimin dhe dërgimin para gjykatës të Haradinajt.

Serish shteti është fajtor për arrestimin e Haradinajt. Hapi i parë që nuk ka guxuar ta bëjë ky shtet dhe që do të duhej ta bënte, është vullneti për të gjetur zgjidhje bashkëpunimi mes Prokurorisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për shkëmbimin e dosjeve hetimore dhe informacioneve për krimet e luftës.

Nëse shteti i Kosovës qysh para dy vjetësh do të guxonte t’i drejtohej Serbisë dhe t’ia kërkonte gjithë lëndën kundër Haradinajt dhe të niste hetime për ato dyshime, sot mbase ish-kryeministri nuk do të ndodhej i arrestuar në Francë.

Bazuar në ato informacione, do të duhej të niste një hetim dhe bazuar në rezultatin real, të mbyllte hetimet apo të ngrehte aktakuzë kundër Haradinaj.

Për këto dy vjet nga arrestimi i Haradinajt në Slloveni, Prokuroria do të mund të nxirrte një rezultat. Dhe, nëse ky rezultat do të ishte negativ, atëherë me aktvendim për mbylljen e hetimeve, shteti do të mund t’i drejtohej Interpolit duke i kërkuar heqjen e tij nga lista e të kërkuarve.

Duke mos bërë asgjë, sigurisht se nuk hiqet as Haradinaj, e as ata 19 të tjerë nga kjo listë. Bile do të arrestohen edhe në të ardhmen sapo të qesin këmben jashtë Kosovës.

Duke u zhytur thellë në konspiracion dhe duke bërë akuza paushall, kjo listë nuk mund të pastrohet. Thjeshtë, duhet të presim vendimet e Gjykatave të shteteve demokratike evropiane sikurse po e presim këtë për Ramush Haradinaj, i cili për neve është një “hero i gjallë lufte”, ndërsa për Serbinë “një kriminel lufte”.

Nuk ka diskutim që akuzat e Serbisë kanë motive politike. Por, është fakt i pamohueshëm se kanë ndodhur krime të rënda lufte edhe në zonën që ka kontrolluar Haradinaj gjatë luftës.