Millaku: Për një vit u ngritën 23 aktakuza për shkak të liberalizimit të vizave

Millaku: Për një vit u ngritën 23 aktakuza për shkak të liberalizimit të vizave

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku, ka deklaruar se organi që ai udhëheq gjatë këtij viti ka pasur në hetim 33 raste, ndërkohë që për 23 prej tyre kanë ngritur aktakuza, për të plotësuar kushtin për liberalizim të vizave.

Millaku e dha këtë deklaratë gjatë tryezës së diskutimit për “Mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit dhe politikave në luftimin e korrupsionit”, gjatë së cilës tha se për krim të organizuar kjo Prokurori ka ngritur aktakuzë ndaj 35 personave, kurse për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj 220 personave.

“15 aktakuza janë nga ana e Prokurorisë Speciale, 8 aktakuza nga ana e Prokurorive Themelore, ndërsa në hetime gjendën 6 lënë kundër 68 personave ku prej tyre 44 persona janë për krim të organizuar. Në një rast është hedhur kallëzimi penal ndërsa në një rast tjetër janë pushuar hetimet”, tha Millaku.

Kryeprokurori Millaku tha se kriteriumet për përzgjedhjen e këtyre lëndëve ka qenë që këta persona të jenë të nivelit të lartë dhe këtu kanë qenë të shënjestruar të gjithë ata persona që kanë pasur pozita prej kryetarit të komunave, sekretar permanent, ministra dhe ish-ministra.

Sipas tij, një numër i madh i këtyre rasteve janë në fazën e gjykimit dhe se këto lëndë kanë pasur prioritet për tu zgjidhur.