Për mosndriçimin e fatit të personave të pagjetur, të gjithë kemi përgjegjësi!

Për mosndriçimin e fatit të personave të pagjetur, të gjithë kemi përgjegjësi!

Dita e 30 gushtit është Dita Ndërkombëtare e Personave të Pagjetur, ditë në të cilën të gjithë familjarët që kanë persona të pagjetur, në të gjitha vendet e botës, me të drejtë kërkojnë realizimin e një të drejte elementare  njerëzore, të drejtën për të ditur për fatin e më të dashurve të tyre.

Këshilli për Mbrojtjen e Të drejtave dhe Lirive të Njeriut konstaton se në Kosovë, bashkësia ndërkombëtare, për shkak të oportunitetit politik dhe ruajtjes së qetësisë dhe stabilitetit, çështjen e të pagjeturve e ka shndërruar në një mekanizëm për sigurimin  e paqes dhe pajtimit të imponuar dhe administrativ.

“Çështja e të pagjeturve është segment jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, si spiritus movens i drejtësisë tranzicionale me të cilën edhe Kosova duhet të merret seriozisht dhe asnjë pajtim nuk mund të arrihet pa zgjidhjen e çështjes së pagjeturve dhe caktimin e përgjegjësisë ligjore për ata që e shkaktuan këtë tragjedi personale, familjare, shoqërore dhe shtetërore”, thuhet në një kumtesë të KMDLNj-së.  Sipas Këshillit, ndërkombëtarët që kanë pasur dhe e kanë mundësinë e të bërit presion ndaj palëve ndërluftuese në Kosovë, nuk e kanë shfrytëzuar këtë mundësi dhe detyrim por u janë nënshtruar ndikimeve dhe interesave politike duke e dëmtuar pariparueshëm çështjen e ndriçimit të fatit të personave të pagjetur.

“Çështja e angazhimit për ndriçimin e fatit të personave të pagjetur, me kalimin e kohës mbetet angazhim vetëm i familjeve të këtyre personave, zbehet shumë, deri në relativizim të kësaj çështjeje, sa të dhimshme aq edhe të ndjeshme për të gjithë ata që janë të prekur apo që solidarizohen me këtë. Shënimi i datës së 30 gushtit në Kosovë ishte një manifestim simbolik, si për kah numri i manifestuesve ashtu edhe sa i përket fjalimeve dhe premtimeve krejtësisht politike”, thuhet në kumtesë.

Sipas KMDLNj-së, sigurimi i informatave për personat e pagjetur është e drejtë njerëzore e cila nuk ndërlidhet as me përkatësi etnike, gjinore, statusit shoqëror, bindjeve politike, gjendjes ekonomike dhe të tjera dhe, në veçanti në Kosovë nuk duhet të theksohen këto dallime sikur që nuk mund të flasim për këta persona si  numra, si shqiptarë, si serbë, si romë, si ashkalinj,  si egjiptas, si boshnjak, si turq, si goranë apo të tjerë.

“Personat e pagjetur duhet t’i trajtojnë vetëm nga aspekti i të drejtave të njeriut dhe nuk duhet lejuar që të shndërrohen në mundësi për manipulime dhe  përfitime politike”, thuhet në kumtesën e KMDLNj-së.

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, KMDLNj solidarizohet me të gjitha manifestimet dhe protestat në të gjitha vendet e botës që kanë për qëllim ndriçimin e fatit të personave të pagjetur pa bërë asnjë dallim sikur që kërkon përgjegjësi ligjore për të gjithë ata që planifikuan, krijuan politika, zbatuan politika apo morën pjesë aktive në zhdukjen e personave, gjithashtu pa bërë asnjë dallim.

“Të pagjeturit duhet të trajtohen si të pagjeturit, kriminelët si kriminelë”, thuhet në fund të kumtesës.