Për kryeministrin me rëndësi është futbolli, vizat janë sfidë

Kryeministri i vendit, ka injoruar vendimin e  Komiteti për të drejtat civile, drejtësi dhe çështje të brendshme në Parlamentin Evropian që ka votuar kundër fillimit të negociatave me Këshillin e BE-së për vendimin formal për liberalizim të vizave për kosovarët, dhe ka vendosur të flasë për futboll, përkatësisht për ndeshjen mes Kosovës dhe Finlandës.

Për kryeministrin me rëndësi është futbolli, vizat janë sfidë

Sipas kryeministrit, e rëndësishme është fitorja e Kosovës, në ndeshjen e parë zyrtare për kualifikimet e Botërorit “Rusi 2018”, ndërsa liberalizimi i vizave është një sfidë.

“Thyerja e izolimit në sport na mori kohë, por edhe kjo, si çdo sfidë e integrimit të vendit u kalua. Do t’i kalojmë edhe sfidat tjera duke përfshirë udhëtimin e lirë. Tani është koha që të tregojmë talentin dhe kulturën tonë sportive. Shumë urime djema! Suksese edhe Kombëtares në ndeshjen e sotme”, ka shkruar kryeministri në Facebook.

Para fillimit të ndeshjes mes Kosovës dhe Finlandës në futboll, Komiteti i Parlamentit Evropian mori vendim që të mos e kalojë tutje procesin për liberalizimin e vizave duke vendosur si kusht votimin e demarkacionit për Kosovën.

Raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, pas votimit në komitetin LIBE, tha se ka marrë mbështetjen për raportin dhe rekomandimet e saj për lëvizjen e lirë për Kosovën, por “nuk ka marrë një mandat për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së për çështjen e vizave për Kosovën”.

Kryeministri nuk ka përmendur fare këtë cështje.

Ka vazhduar të flas vetëm për futboll.

“Sonte Kosova e fillon përfaqësimin në garat kualifikuese ndërkombëtare, duke shënuar pavarësinë e futbollit dhe duke realizuar ëndrrën e shumë brezave. Më pëlqeu edhe emri i tifozëve, “Dardanët”. Ky emër më solli në mendje Presidentin Rugova që punoi me durim në mënyrë që të rinjtë të kenë mundësi për suksese në çdo fushë të jetës”, ka shkruar Mustafa./Insajderi.com