Për këtë festë të Bajramit, uroj shkarkimin e Naim Tërnavës

Janë më shumë se pesë arsye se pse Naim Tërnava nuk duhet ta presë festën e Bajramit të ardhshëm, në krye të Bashkësisë Islame. Por, këto pesë arsye të renditura më poshtë janë të mjaftueshme për të shkarkuar Tërrnaven.

Për këtë festë të Bajramit, uroj shkarkimin e Naim Tërnavës

Për të nderuar emrin e festës së Kurban Bajrami, është e përcaktuar që nesër dikush duhet të sakrifikohet për hir të diçkaje.

Kurbani më i mirë është Naim Tërnava, kryemyftiu i Bashkësisë së Islame të Kosovës. Nuk e kam fjalën që të bëhet edhe teknikisht kurban, siç ndodh me kafshët nesër. Duhet të bëhet kurban, nëpërmjet shkarkimit nga posti i tij. Për hir të mirëfunksionimit të kësaj organizate.

Janë të shumta arsyet se pse bërja kurban e Tërnavës do të ndikonte për të mirë në BIK. Do të sjellte “harmoni e paqe”, largimi i tij. Ai duhet të shkarkohet para se të mbahen zgjedhjet e sivjetme për kreun e BIK-ut. Duhet t’i pamundësohet rizgjedhja e sërishme.

Pas shkarkimit të tij, nuk do ta kishim më në krye të Bashkësisë Islame një njeri të dyshuar për bashkëveprim me njerëzit e diktatorit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.  Në krye të BIK-ut, në të ardhmen, nuk duhet ta kemi një njeri që i servilozet skajshmërisht Erdoganit. Nuk duhet ta kemi një  njeri që dyshohet se është pasuruar kundërligjshëm dhe që djali i tij shpërfaq jetën luksoze në rrjetet sociale.

Po ashtu, në krye të BIK-ut nuk duhet ta kemi një njeri, i cili ka ndryshuar Kushtetutën e kësaj organizate për interesa personale.

Serviliteti ndaj Erdoganit:

Më 18 tetor të vitit 2016, Tërnava kishte mbajtur në fjalim në një samit të klerikëve mysliman, të mbajtur në Turqi.

“Ne jemi falënderues që kemi shqiptarë që janë të bekuar nga Zoti që jetojnë në Turqi, pasi që atyre u është dhuruar nga Allahu një lider i madh si Recep Tayyip Erdogan. Jemi me fat”, kishte thënë Tërrnava në Ankara.

Ky fjalim nuk është i vetmi skandaloz që ka mbajtur Tërnava. Ai, më 16 qershor të vitit 2015, kishte mbajtur edhe një fjalim tjetër, me përmbajtje fyese. Këtë e kishte bërë  gjatë ceremonisë së përkujtimit të 626 vjetorit të vdekjes së Sulltan Muratit I në Betejën e Kosovës.

Aty kishte folur në cilësinë e një përfaqësuesi otomani, e jo të kreut të Bashkësisë Islame. Kishte thënë Sulltan Murati i Parë nuk kishte qenë pushtues  dhe se e tillë nuk kishte qenë as Perandoria Osmane.

Pasurimi i dyshimtë i Tërnavës, biznesi dhe jeta luksoze e djalit të tij:

Përveç servilitetit të tij ndaj Erdoganit, ndaj Tërnavës ka dyshime të mëdha edhe lidhur me anën financiare të tij.  Më 14 maj të këtij viti Haris Tërnava,  djali i kryemyftiut të Kosovës,  njoftoi për hapjen e një biznesi të ri. Këtë e bëri në fillim të muajit të shenjtë të Ramazanit. Edhe djali, por edhe vajza e Tërnavës kanë shpërfaqur publikisht jetën e tyre luksoze. Kryemyftiu asnjëherë nuk e ka sqaruar publikisht prejardhjen e pasurisë së tij. Bashkësia Islame meriton që ta ketë në krye një njeri, pasuria e të cilit nuk është e dyshimtë.

Toleranca ndaj imamëve radikal:

Gjatë mandatit të tij, Tërnava dyshohet se ka bashkëpunuar me imamët radikal. Atyre i ka lejuar terren për të vepruar në Kosovës, duke mos i shkakruar imamët e dyshimtë. Në raste të veçanta, ka përdorur pikërisht të tillët për ta votuar për t’u rizgjedhur në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ndryshimi i Kushtetutës së BIK-ut për interesa personale:

Kur Naim Tërnava ishte në mandatin e tij të dytë, në fillimet e vitit 2012, kishte nisur ndryshimin e Kushtetutës së Bashkësisë Islame. Nuk kërkonte ndryshime progresive. E bënte për interes personal.  Kërkonte të hiqej një nen që ndalonte rizgjedhjen për herë të tretë, në postin e kryemyftiut të BIK-ut. Ishte kundërshtuar nga hoxhallarët me reputacion, por në fund kishte arritur që ta fitonte betejën.

Ky ndryshim tash i mundëson Tërnavës që të mbetet përjetësisht në krye të BIK-ut. Sistemi zgjedhor në BIK i përshtatet atij. E ka bërë vetë të tillë. Zgjedhjet nëpër këshille lokale të BIK-ut mbahen çdo katër vjet. Por, kryetar i një këshilli nuk bëhet personi që grumbullon më së shumti vota. Tërnava ka mundësinë që njërin prej më të votuarve ta përzgjedhë për kryetar. Ta emërojë njeriun e tij. Këta, njerëzit e tij, i duhen për zgjedhjet në kryesinë qendrore. Drejtë vote në zgjedhjet “nacionale” kanë nga dy anëtar të këshillave lokale. Një anëtar tjetër dhe i përzgjedhuri nga Tërnava. Kjo i bie që Tërnava gjithmonë i ka të garantuara 50 për qind të votave.

Keqpërdorimet financiare gjatë therjes së kurbaneve:

Një çështje tjetër, për të cilën është kritikuar ashpër Naim Tërnava është edhe therja e kurbaneve. Edhe sivjet, nesër, therja e tyre i është besuar një kompanie nga Hungaria. Vitin e kaluar ky proces ishte përcjellë me keqpërdorime e mashtrime të mëdha. U zbulua se Bashkësia Islame për një kilogram mish të sjell nga Hungaria paguante 17 euro. Kjo është absurde. Një kilogram mish në tregun vendor kushton rreth 7 euro.

Sipas të dhënave doganore, BIK në vitin 2017 vetëm në një kontingjent nga Hungaria kishte futur në Kosovë një sasi prej 14 mijë e 408 kilogramësh mish kurbani. Vlera e deklaruar e tyre kalonte shifrën  prej mbi 239 mijë eurosh. Kjo nxit dyshime të mëdha.

Tregon se kurbanët që do të theren nesër janë arsyeja se pse pozita e kryemyftiut të BIK-ut është kaq e lakmueshme për Naim Tërnavën. Nxit dyshime se keqpërdorimet financiare, të cilat do të ndodhin edhe nesër, janë arsyeja e pasurisë së dyshimtë të Tërrnavës. Kjo tregon edhe arsyen se pse është ndryshuar Kushtetuta e BIK-ut për interesat personale të një njeriu.

Naim Tërnava nuk duhet vetëm të shkarkohet. Pas shkarkimit, duhet të niset një proces gjyqësor kundër tij. Ai proces duhet të zbardhë të gjitha dyshimet që rëndojnë mbi klerikun më të fuqishëm fetar në Kosovë.