Për çka u pajtuan Thaçi e Vuçiq sot në Bruksel

Për çka u pajtuan Thaçi e Vuçiq sot në Bruksel

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për fillimin e fazës së re të dialogut mes dy shteteve, në takimin që u zhvillua në Bruksel ndërmjet dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.

Në njoftimin e Zyrës së përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, thuhet se presidentët janë pajtuar edhe për zbatimin e plotë të marrëveshjes për drejtësi më 17 tetor.

“Të dyja palët janë pajtuar për hapat përfundimtarë për zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësinë, të arritur brenda dialogut që ndërmjetëson BE-ja. Presidentët konfirmuan se marrëveshja do të zbatohet plotësisht më 17 tetor, 2017. Atë ditë, gjykatësit, prokurorët dhe stafi gjyqësor do të integrohen në Gjyqësorin e Kosovës. Integrimi i personelit gjyqësor do të mundësojë drejtësi në gjithë Kosovën, në veçanti në rajonin e Mitrovicës”.

Pas takimit me presidentin e Serbisë, Vuçiq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se të dyja shtetet kanë nevojë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Presidenti Thaçi ka thënë se marrëveshja për drejtësi do të zbatohet më 17 tetor. Nga Brukseli, presidenti ka bërë thirrje për krijimin e institucioneve të Kosovës dhe ka kërkuar përkrahjen e të gjitha partive politike për krijimin e ekipit të unitetit.

Arritjen e marrëveshjes për drejtësi e ka pohuar presidenti i Serbisë, Vuçiq. Ai nuk është shprehur shumë optimist për zgjidhjen e raporteve historike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

“U konfirmua Marrëveshja për Drejtësinë, u paralajmërua hapja e Urës mbi Ibër deri në fund të vitit dhe u konstatua se rreth çështjes së formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, Prishtina nuk ka bërë kurrfarë përparimi. Megjithatë, shoh një shans të vogël për zgjidhjen e çështjes historike ndërmjet serbëve e shqiptarëve dhe atë duhet shfrytëzuar. Ia vlen të provohet për shkak të ardhmërisë”.

Takimi i së enjtes, i ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini, është takimi i dytë në nivel presidentësh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.