Pentagoni thotë se është vrarë zëdhënësi i IS-it

13.09.2016 08:22

Pentagoni ka konfirmuar se sulmet ajrore të ShBA-së kanë vrarë muajin e kaluar, zëdhënësin e Shtetit Islamik, Abu Mohamed al-Adnani në Siri.

Pentagoni thotë se është vrarë zëdhënësi i IS-it

“Sulmi ajror afër Al Bab në Siri, ka vrarë shefin e propagandës, rekrutuesin dhe arkitektin e operacioneve të jashtme terroriste të IS-it”, ka thënë sekretari për media, Peter Cook.

Për shkak të rolit vital të Adnan, në inspirimin e njerëzve që të kryejnë sulme kundër civilëve në mbarë botë, vdekja e tij “do të bëj të vështirë për grupin që të veprojë”, ka thënë Cook.

Sulmet e 30 gushtit janë kryer me një dron, përmes së cilit janë hedhur raketa në veturën me të cilën po udhëtonte Adnani, shkruan rel.

Adnani ka qenë zëdhënësi kryesor i IS-it dhe ka luajtur rol të madh në sulme të mëdha në vitin e kaluar, përfshirë ato të kryera në Paris, Bruksel, Stamboll dhe Bangladesh. Zyrtarët kanë thënë se ai ka qenë i përfshirë në rrëzimin e avionit rus në Gadishullin e Sinait.

Rusia më 31 gusht kishte marrë përgjegjësinë për vrasjen e tij por zyrtarët në Pentagon kanë hedhur poshtë këto pretendime.