PDK uron Sami Lushtakun për lirimin nga burgu

PDK uron Sami Lushtakun për lirimin nga burgu

Partia Demokratike e Kosovës e ka vlerësuar të vonuar, por të drejtë, vendimin e institucioneve të drejtësisë për lirimin e ish-komandantit të UÇK-së, njëherësh kryetar i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku.

Përmes një komunikate për medie, PDK ka kërkuar edhe lirimin e ish-luftëtarëve të tjerë të UÇK-së nga rastet Drenica 1 dhe Drenica 2.

“PDK kërkon lirimin e luftëtarëve të lirisë në rastin Drenica 1 dhe 2 si të pafajshëm, sic edhe procesi gjyqësor ka ridëshmuar se janë. UÇK dhe vlerat luftarake liridashëse të popullit tonë janë të paprekshme”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

PDK ka thënë se “lufta për liri dhe kontributi i çdo qytetari për shtet, në UÇK dhe jashtë saj është i shenjtë dhe pacenuar nga askush për popullin tonë, ndërsa PDK fton gjithë qytetarët e vendit të punojmë fuqishëm për ruajtjen dhe zhvillimin e shtetit tonë”.

“Partia Demokratike e Kosovës i uron Lushtakut kthim të mbarë në detyrën e vetë të kryetarit të Skënderajt, përgjegjësive në PDK dhe jetë të qetë me familje”, thuhet në komunikatë.