PDK publikon emrat e “militantëve të VV-së” të punësuar në Ndërmarrjen Banesore

PDK publikon emrat e “militantëve të VV-së” të punësuar në Ndërmarrjen Banesore

Dega në Prishtinë e Partisë Demokratike të Kosovës ka publikuar një listë me emrat aktivistëve të Vetëvendosjes, që sipas tyre janë “rehatuar” në Ndëmarrjen Banesore të Prishtinës.

Sekretari i PDK-së së Prishtinës, Bujar Cakolli, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po i ikë llogaridhënies për punësimin e 486 personave në dy vjetët e fundit, shumica e të cilëve janë pjesë e rrjetit të dhunshëm të Dardan Molliqajt, njofton PDK përmes një komunikate për media.

Cakolli ka thënë se nuk është çerdhe e punësimit të militantëve të Vetëvendosjes vetëm administrata e Komunës së Prishtinës, por edhe ndërmarrjet publike që administrohen nga bandat e tyre.

“Kemi parë përpjekjet e tyre për t’i ikur këtij skandali të punësimit partiak në Komunën e Prishtinës. Kemi parë përpjekjet për t’i dhënë konotacion tjetër kësaj teme, për ta relativizuar duke përmendur emra të përveçëm. Por, deri më tash, nuk kemi parë përgjegjësi dhe llogaridhënie prej tyre për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë ai, thuhet në komunikatë.

“Ndërmarrja Banesore e Prishtinës gjatë viteve 2015-2016 ka punësuar mbi 35 militantë të bandës së Vetëvendosjes me kontrata dhe 22 të tjerë për shërbime të veçanta, ku shumica e tyre vijnë nga qytete të tjera dhe aktivitet kryesorë kanë pasur hedhjen e gurëve, molotovit dhe përcjelljen e njerëzve me direktiva të Dardan Molliqajt”, ka thënë Cakolli.

Sipas tij, Ndërmarrja Banesore e Prishtinës, sipas planit të biznesit të vitit 2014, kishte të planifikuar 73 punëtorë. Kurse, pas marrjes nën menaxhim nga banda e Dardan Molliqajt, sot kjo ndërmarrje ka mbi 120 të punësuar, thuhet në komunikatë.

“Nëse i referohemi planeve të biznesit të ndërmarrjes pas vitit 2014, ajo nuk ka ndonjë aktivitet shtesë, që do të arsyetonte këtë rritje prej 80 për qind të numrit të të punësuarve”, ka thënë ai, duke prezantuar edhe listën e të punësuarve të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë ndërmarrje banesore.