PDK paralajmëron mbi 300 personalitete të reja për zgjedhjet lokale

08.08.2017 16:06
PDK paralajmëron mbi 300 personalitete të reja për zgjedhjet lokale

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, sot ka mbajtur mbledhjen e saj të rregullt, në kuadër të aktiviteteve përgatitore për zgjedhjet lokale.

Në këtë mbledhje të Kryesisë është raportuar nga degët, se deri tani mbi 300 personalitete të reja do të jenë pjesë e listave zgjedhore nëpër komuna.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se degët dhe kryesia qendrore po përkujdesen që ta përfundojnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë për kryetarë dhe asamblistë komunalë.

“Anëtarët e Kryesisë së PDK-së kanë diskutuar në këtë mbledhje edhe për hartimin e programeve specifike për secilën komunë, programe që u përgjigjen më së miri kërkesave të qytetarëve, të cilat do të sigurojnë fitoren e Partisë Demokratike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e dërguar.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë, lidershipi i Partisë Demokratike ka kërkuar nga anëtarët mobilizim maksimal për zgjedhjet lokale.