PDK në Prizren arrin marrëveshje me një subjekt me peshë

11.11.2017 12:20
PDK në Prizren arrin marrëveshje me një subjekt me peshë

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshje koalicioni për qytetin e Prizrenit për katër vitet e ardhshme.

Nënshkrimet për marrëveshje i kanë vënë kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili fitoi në rundin e parë dhe ish-kandidati i AAK-së për kryetar, Lulzim Kabashi.

Totaj ka thënë së ky koalicion është pjesë e qasjes së tij për të bashkëqeverisur me ato parti që kanë “qëllime dhe ide të mira, si dhe përputhje të programeve për të mirën e qytetarëve të Prizrenit”.

Nga ana e tij, Lulzim Kabashi nga AAK tha se në garën e balotazhit në Prizren qytetarët do ta mbështesin Shaqir Totajn për kryetar dhe “koalicionin që do të përfaqësojë dhe mbështesë më së miri qytetarët e Komunës së Prizrenit”.

PDK ka siguruar si subjekt 19440 vota, derisa Vetëvendosje ka siguruar 10533 vota. Si subjekt i tretë ka dalë LDK me 9497 vota, derisa AAK ka marrë 5432 vota, ndërsa Nisma për Kosovën 5193 vota.

Për balotazh pos subjekteve shqiptare do të ketë rëndësi edhe orientimi i votës së komuniteteve. KDTP turke ka marrë në raundin e parë 4506 vota, koalicioni boshnjak VAKAT ka marrë 3442 vota, kurse Partia e Re Demokratike  2479 vota.