PDK ndërron kandidatin në Kamenicë – tërheq personin që kishte “vjedhur” veturën e shtetit

PDK ndërron kandidatin në Kamenicë – tërheq personin që kishte “vjedhur” veturën e shtetit

Kur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) publikoi listën e kandidatëve për kryetarë të komunave, për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, në këtë listë figuronte edhe emri i Emin Krasniqit. Ish-zëvendësministri i Infrastrukturës ishte përzgjedhur nga PDK-ja që të kandidonte në Kamenicë.

Tre ditë pas publikimit të emrit të Krasniqit si kandidat zyrtar të PDK-së për Komunën e Kamenicës, Insajderi raportoi për një skandal të Emin Krasniqit që nga koha kur shërbente si zv/ministër i Infrastrukturës.

Krasniqi gjatë vitit 2014 kishte vjedhur veturën e shtetit për katër muaj.

Sipas raportit të vitit 2014 nga Zyra e Auditorit Gjeneral, Krasniqi që shërbente asokohe si zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës, e kishte përdorur jashtëligjshëm veturën zyrtare për katër muaj. Ai e kishte mbajtur veturën e shtetit edhe pas përfundimit të mandatit të tij si zv/ministër.

E, tre ditë pas raportimit të Insajderit, PDK ndërroi kandidatin e saj për kryetar të Komunës së Kamenicës. Partia e udhëhequr nga Kadri Veseli vendosi që ta tërhiqte nga kandidimi Emin Krasniqin, dhe në vend të tij ta vendoste Kujtim Gashin.

PDK vendosi që kandidat i saj për kryetar të ardhshëm të Komunës së Kamenicës të jetë Kujtim Gashi, aktualisht nënkryetar i degës së PDK-së në Kamenicë dhe pjesë e strukturave të degës së PDK-së në Kamenicë, që nga themelimi.

Në njoftimin e sotëm për media të lëshuar nga PDK-ja, thuhet se edhe Emin Krasniqi ka rënë dakord që të tërhiqet nga gara.

“Vendimi i Partisë Demokratike të Kosovës për kandididaturën e Gashit është mbështetur nga kryetari i degës së PDK-së në Kamenicë, prof.dr. Emin Krasniqi – veprimtar i shquar dhe themelues i degës së PDK-së në Kamenicë, i cili do ta mbështesë pa rezervë z. Gashin dhe kandidatët e PDK-së për Kuvendin Komunal”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Kandidati i tanishëm i PDK-së për kryetar të Kamenicës, Kujtim Gashi është doktorant në fushën e qeverisjes elektronike në Universitetin Publik të Tiranës. /Insajderi.com