PDK konteston rezultatin zgjedhor për kryetar të Prizrenit

PDK konteston rezultatin zgjedhor për kryetar të Prizrenit

Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar me ankesa Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me rezultatin zgjedhor për kryetrarin e komunës së Prizrenit.

Blerand Stavileci, nga PDK, gjatë një konference për media tha se Vetëvendosje ka ndërmarrë shumë veprime abuzive ditën e zgjedhjeve por edhe gjatë numërimit të votave në Prizren.

“Kishte veprime abuzive, shantazhe, kërcënime, sulme ndaj organeve dhe zyrtarëve shtetëror dhe është përdorur fenomeni i njohur si ‘treni bullgar’”, tha Stavileci.

Ai tha se PDK nuk i frikësohet rikthimit të procesit, qoftë në rinumërim apo edhe në rivotim.

Në Prizren, kandidati i PDK-së Shaqir Totaj, sipas rezultateve aktuale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka humbur garën për kryetar nga kandidati i Vetëvendosjes, Mytahir Haskukaj.

PDK pretendon se manipulime kishte sidomos gjatë numërimit të votave me kusht dhe me postë.