PDK-ja akuzon Lutfi Hazirin për punësimin e kunatës

Dega në Gjilan e Partisë Demokratike të Kosovës po e akuzon kryetarin e kësaj komune, Lutfi Haziri, se e ka punësuar kunatën e vet.

PDK-ja akuzon Lutfi Hazirin për punësimin e kunatës

“Lutfi Haziri, do të deklarojë sot me ngazëllim, për një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor! Vit i mbarë për kryetarin e Gjilanit, sepse ai po vazhdon punësimin e familjarëve nëpër institucionet publike të Kosovës, personi fatlum për gjetjen e një vendi të punës kësaj radhe ishte kunata e tij, e cila më së miri i plotësojë kushtet dhe kriteret e punësimit në mesin e 150 edukatoreve të Gjilanit, që janë duke pritur me vite të tëra për një vend pune”, thuhet në komunikatën e PDK-së, dega në Gjilan.

Sipas PDK-së, deri te punësimi i kunatës erdhi pas shkarkimit të drejtorit për Arsim, i cili, sipas tyre, ishte bërë pengesë në zbatimin e agjendës së kryetarit Lutfi Haziri.

“Lutfi Haziri e punësoi kunatën e tij në shkollën e Pogragjës, vetëm pas shkarkimit të drejtorit të Arsimit në Gjilan Nazmi Musa, i cili ishte bërë pengesë për punësimet sipas listave të porositura nga kryetari i komunës”, vazhdon komunikata.

“Kështu e nis vitin e ri shkollor qeverisja dhe familja e Lutfi Hazirit, me punë të “hajrit”, përderisa qytetarët e Gjilanit i kanë dyert e mbyllura nëpër institucionet publike dhe komunale, ngase Luta dhe klani i tij ende janë duke i punësuar miqët, kunatat, djemt, vëllezërit, kusherinjt, dajallarët, tezakët, e jaranët e jaraneshat e tyre”, pretendon dega e PDK-së në Gjilan.

“Jo vetëm për qytetarët, por edhe për vet kuadrot e LDK-së ka qenë i pamundur punësimi sipas ligjit, sepse deri tani për këto tri vite janë bërë punësime vetëm të familjarëve të kryetarit të komunës, të drejtorëve, “shefave” dhe zyrtarëve të lartë të shtetit si ministrave etj. Nepotizmi në Gjilan është legalizuar dhe institucionalizuar”, përfundon komunikata./Insajderi.com