PDK e sigurt: Veseli do të jetë Kryetar i Kuvendit

PDK e sigurt: Veseli do të jetë Kryetar i Kuvendit

Partia Demokratike e Kosovës është e sigurt se Kadri Veseli nesër do të bëhet përsëri kryetar i Kuvendit. Madje në këtë parti janë të bindur se votat i kanë dhe kjo çështje do të mbyllet pa telashe.

Rrugëtimi katërvjeçar i Kadri Veselit si kryetar i Kuvendit të Kosovës do të mund të vendoset nesër.

Ai në seancën e parë të sesionit të ri të Kuvendit do t’i presë votat e deputetëve që ta ulin përsëri në krye të legjislativit.

Por, tani kur kanë mbetur edhe pak orë nga kjo seancë, kundër tij kanë dal shumica e partive opozitare dhe deputetëve.

Mirëpo, ky fakt nuk po i bën përshtypje fare Partisë Demokratike të Kosovës, që drejtohet nga vetë Veseli.

Në këtë parti janë të bindur se Veseli nesër do të bëhet kryetar i Kuvendit. Këtë bindje e ka edhe vet numri dy i PDK’së, Enver Hoxhaj.

“S’kemi asnjë dilemë më. Votat i kemi dhe Kadri Veseli do të jetë kryetar i Kuvendit. Ne nuk kemi tjetër kandidat për këtë pozitë. Madje as nuk është diskutuar për dikë tjetër. Veseli është ai që e ka përkrahjen e krejt partisë”, ka thënë Enver Hoxhaj.

Hoxhaj ka qenë i bindur po ashtu se vendi nuk ka rrezik të shkojë në zgjedhje apo të dështojë seanca.

“Nuk ka mundësi të ndodhë kjo. Seanca do të shkojë pa asnjë telashe dhe ne do ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit”, thotë ai.

I bindur se Kadri Veseli do të bëhet kryetar i Kuvendit është treguar edhe nënkryetari i PDK’së, Memli Krasniqi. Ai të mërkurën ka thënë  për Express se koalicioni PAN nuk ka kandidat tjetër pos Veselit për kryetar të Kuvendit, njofton Gazeta Express.

“Duket se deklarata ime sot nuk është interpretuar drejtë dhe ndoshta është nxjerrë jashtë kontekstit!. Kadri Veseli e ka mbështetjen e plotë të të gjitha strukturave të PDK-së, si dhe të koalicionit tonë, për të qenë Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës edhe në mandatin e ardhshëm. Kandidimi i tij do të zyrtarizohet nesër ne seancë, meqë kështu edhe parashihet proceduralisht”, ka deklaruar nënkryetari i PDK’së.